Fetai: Kundërshtari ynë i vetëm është BDI-ja, nuk do të merremi me patericat e saj

Fetai ka deklaruar se nuk do të merren me, siç i cilëson ai, “patericat” e BDI-së që përpiqen të faktorizohen në kurriz të Aleancës. Ai nënvizoi se VLEN është në rrugën e ndryshimit të kërkuar nga 107 mijë shqiptarë që votuan për këtë koalicion në zgjedhjet e fundit. “Ne i dhamë besën këtij populli se do të luftojmë keqqeverisjen, korrupsionin dhe zhvatjen e parave tona. Dhe nuk do defokusohemi nga ky mision”, ka shkruar Fetai.
Ai shtoi se provokimet nga individë që kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me BDI-në nuk do ta ndalin misionin e nisur, duke i cilësuar ata si shërbëtorë të së keqes që populli tashmë i ka “çveshur” dhe do t’i gjykojë.
Në mesazhin e tij, Fetai u bëri thirrje edhe aktivistëve që mund të jenë keqinformuar apo mashtruar, që të mos bien pre e provokimeve dhe të qëndrojnë të bashkuar në rrugën e ndryshimit. “Ata janë vëllezërit dhe motrat tona. Dhe jemi të bindur se as ata nuk do ta pranojnë bashkëpunimin me BDI-në”, theksoi zëvendëskryeministri.
Në fund të postimit të tij, Fetai apeloi për maturi, unitet dhe përqendrim tek detyrat që ka përpara qeverisja e re.