Fetai: Përgëzime për përfituesit e granteve qeveritare – Partneriteti me shoqërinë civile është gurthemeli i demokracisë

Zëvendëskryeministri për Politika dhe Sundim të Mirë, Arben Fetai, ka përgëzuar organizatat e shoqërisë civile që kanë përfituar grante nga thirrja publike e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në kuadër të programit për mbështetje të shoqatave dhe fondacioneve.
“Pas përfundimit të procesit të vlerësimit nga komisioni përkatës, sot u shpallën përfituesit e thirrjes publike për mbështetje financiare të shoqatave dhe fondacioneve, në kuadër të Programit të Ministrisë së Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive. Përmes këtij programi, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon të ndërtojë dhe forcojë partneritetin me sektorin civil – një shtyllë kyçe për zhvillimin demokratik, për politikëbërje të mirëfilltë dhe për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme,” – tha Fetai.
Zëvendëskryeministri Fetai vlerësoi angazhimin e organizatave joqeveritare në proceset demokratike, duke theksuar se një sektor civil i fuqishëm është parakusht për transparencë, llogaridhënie dhe sundim të mirë.
Ai veçoi me krenari edhe njërën nga organizatat përfituese:
“Jam veçanërisht i lumtur dhe krenar që mes organizatave përfituese është edhe Shoqëria Kulturore ‘Jeta e Re’ nga Sllupçani, e cila me përkushtimin dhe energjinë e të rinjve të saj mban gjallë traditën dhe shpirtin kulturor në rajonin e Likovës.”
Në përmbyllje, Fetai uroi të gjithë përfituesit për punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në realizimin e projekteve, duke theksuar se kontributi i tyre do të pasurojë më tej jetën kulturore, sociale dhe demokratike të vendit.