Pas nisjes së punimeve për rrugën hyrëse në fshatin Kallnik, kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, sot ka zyrtarizuar fillimin e një projekti tjetër të rëndësishëm: rikonstruksionin e stadiumit në Pirok. Ky investim përfaqëson njërin nga premtimet kryesore të tij gjatë fushatës zgjedhore për këtë fshat.
Abazi, i pranishëm në terren së bashku me banorët, theksoi se ky projekt do të shërbejë si bazë e fortë për zhvillimin e sportit lokal dhe aktivitetet e të rinjve. Sipas tij, terreni ekzistues është i amortizuar plotësisht, ndërsa rikonstruksioni do të sjellë një fushë moderne dhe funksionale.
“Jemi në Pirok për të realizuar projektin e parë të premtuar. Sot fillojmë gërmimin e terrenit ekzistues, i cili është i dëmtuar. Shumë shpejt këtu do të ndërtojmë një fushë sporti të standardeve të larta, që do ta përdorë klubi dhe akademia e të rinjëve të fshatit. Kjo mbështetje që më jepni, më motivon edhe më shumë. Ky nuk është projekti i fundit – është vetëm fillimi.” – u shpreh Abazi.
Kryetari siguroi banorët se investimet për Pirokun do të vazhdojnë, duke rikujtuar edhe projektet e tjera të paralajmëruara gjatë kampanjës:
Projektet e premtuara për fshatin Pirok:
-
Tubacioni i ujësjellësit
-
Kanalizimi
-
Çerdhja
-
Rikonstruimi i Rrugës së Jurisë
-
Shëtitorja në Rrugën e Re
Me nisjen e punimeve në stadium, Komuna e Bogovinës sinjalizon një fillim konkret të realizimit të planit të saj zhvillimor për këtë zonë, duke vendosur fokus të veçantë tek sporti, infrastruktura dhe të rinjtë.

