Kohanews.com

Ke Çfarë Lexon!

Në Universitetin e Tetovës u promovua monografia “Maqedonia nga antika deri te koha jonë

3 min read

Vepra me titull “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” e autorit Jusuf Buxhovi u promovua sot në Universitetin e Tetovës. Vepra në fjalë është një studim voluminoz monografik, që mbështet konceptin se Maqedonia që nga antikiteti , mesjeta e deri te koha jonë është pjesë e botës ilire – dardane.

Para auditorit pjesëmarrës në këtë promovim, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani shpalosi të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e begatshme të shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovit. Ai e vlerësoi autorin si një personalitet të dëshmuar në shumë fusha të dijes, tani më edhe jashtë sinorit shqiptar. “Krijimtaria e Jusuf Buxhovit është e gjerë dhe e rëndësishme për kulturën tonë. Ai është gazetar, publicist dhe autor i një numri të madh veprash letrare e shkencore. Kjo e bën autorin të veçantë dhe e ngre në shkallën e kolosëve të dijes shqiptare”, tha Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.
Ndërsa redaktori i kësaj vepre, Ramadan Musliu tha se vepra vjen pikërisht në një moment historik kur po bëhet ridefinimi i identiteteve etnike, por edhe i atij shtetëror i shqiptarëve në shtetin e sotëm të quajtur Maqedonia e Veriut. “Autori, me një qasje metodologjike tashmë të identifikueshme, si një sintezë e gjerë e dijes dhe informacionit për periudha përkatëse, ka ndërtuar një sistem kritik dhe rivlerësues të procesit historik, duke e trajtuar edhe Maqedoninë në dy plane kryesore: në korrelacionin Maqedoni antike, si monarki dhe si perandori globale botërore, me Maqedoninë e Veriut aktuale, si sajesë politike në një territor të tjetërsuar etnikisht dhe, si plan i dytë referencial del ndjekja e kontinuitetit etnik të hapësirës maqedonase që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, kontinuitet që e favorizon popullsinë autoktone, domethënë atë shqiptare”.


Vetë autori i veprës, Jusuf Buxhovi, u shpreh se me këtë libër ka dashur të ndërlidh disa gjëra të cilat e kthejnë realitetin historik nga antikiteti, ku Maqedonia, Dardania dhe Epiri janë pjesë e trinisë historike, që për fat të mirë edhe sot e gjithë ditën gati etnikisht ruhen ato konfigurime të shtrirjes së popullsisë. ”Ngelet që shqiptarët e Maqedonisë, Maqedoninë ta rikthejnë si pjesë të tyre, ta trajtojnë si pjesë të historisë së tyre dhe mos të merren me lajthitje të shkollave hegjemoniste. Mbetet që politikanët shqiptarë , në përgjithësi inteligjencia e Maqedonisë, të kujdesen për ta ruajtur këtë shtet si të barabartë ku shqiptarët do të jenë shtetformues“ – theksoi mes tjerash Jusuf Buxhovi. Ndërkaq, studiuesi Besir Bajrami e vlerësoi lartë këtë monografi, sidomos për burimet shkencore që i autori i ka shfrytëzuar në përgatitjen e saj. Pas veprës kapitale “Kosova” të cilën historiani i njohur e promovoi gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, ky ishte libri i radhës që Jusuf Buxhovi e promovoi në Universitetin e Tetovës.