Fillohet ndërtimi i linjës optike nëntokësore Gjorce Petrov – MEPSO – TETO pas nëntë vitesh ngecje

Sot, pas gati nëntë vitesh nga nënshkrimi i kontratës fillestare, filloi zbatimi i një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për stabilitetin energjetik të vendit – linja optike nëntokësore që lidh trafostacionin  Gjorce Petrov, drejtorinë e MEPSO-s dhe objektin elektro-termik TETO. Projekti, me gjatësi prej 12 kilometrash, më në fund kaloi  në fazën e zbatimit në terren, duke hapur një kapitull të ri në transformimin digjital dhe të sigurisë së sistemit nacional  transmetues.

 

Edhe pse kontrata me Telekom -Maqedoni u nënshkrua në vitin 2016, projekti u përball me pengesa ligjore, teknike dhe administrative që e vonuan fillimin e tij për gati një dekadë. Fillimi i sotëm është rezultat i angazhimit të plotë të udhëheqësisë së re të MEPSO-s, koordinimit efikas ndërinstitucional dhe mbështetjes së siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Mbikëqyrja i është besuar kompanisë Euro Consulting, ndërsa Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka lëshuar lejen e nevojshme ndërtimore të kategorisë A.

 

Ndërtimi i kësaj linje optike paraqet një sfidë teknologjike dhe logjistike. Traseja kalon nëpër një zonë urbane me dendësi  të lartë infrastrukturore, përgjatë lumit Vardar, nën ura dhe linjë hekurudhore, në territorin e katër komunave. Por përfitimet janë gjithëpërfshirëse: me këtë investim, MEPSO përfundon unazën e saj nacionale të sigurt optike – një shtyllë e autonomisë energjetike, qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë digjitale të vendit.

 

Projekti do të mundësojë çlirimin e plotë nga varësia ndaj operatorëve privatë të telekomunikacionit, do të sjellë kursime vjetore prej 20,000 deri në 25,000 euro dhe do të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurisë kibernetike dhe operative. Linja e re paraqet  bazë për sistemet moderne të menaxhimit, monitorimit dhe automatizimit në distancë, duke e bërë atë një faktor kyç në modernizimin e ardhshëm të rrjetit energjetik.

 

Përfundimi pritet në mars 2026. Fillimi i sotëm nuk është vetëm një aktivitet teknik – por, një dëshmi se kur vendosen vizion, përkushtim dhe ekspertizë në të njëjtën linjë, edhe iniciativat strategjike më të bllokuara mund të gjallërohen dhe të bëhen shtytës të ndryshimit.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights