Home / Opinioni / Fjalimi i Vuçiç nxit një fantazi të rrezikshme

Fjalimi i Vuçiç nxit një fantazi të rrezikshme

Milos Ciric

Loading...

Fjalimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Kosovë, duket se bën thirrje për paqe dhe pajtim, por retorika e tij e koduar nacionaliste dhe lavdërimi për Sllobodan Millosheviç, treguan se ëndrra për një “Serbi të Madhe” jeton. Mediat serbe e kanë përshkruar fjalimin “historik” të Aleksandar Vucic në Kosovë, si “momenti i tij në Gazimestan”, diçka e ngjashme me fjalimin e famshëm të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1989 në vendin e betejës së shekullit të 14-të në Fushë-Kosovë, pas së cilës Millosheviç shkatërroi Jugosllavinë.

Fjalimi i Vuçiçit duhej të ofronte një ton më paqësor dhe pajtues por, ndërsa ai arriti ta mbante “të pranueshme” për një audiencë perëndimore, ai njëkohësisht mbeti i vërtetë ndaj politikave që ai mbështeti gjatë agresionit të udhëhequr nga Serbia në vitet 1990, kur ai ishte një radikal i ri nacionalist. Një manipulues politik me përvojë, Vuçiç arriti ta bënte këtë duke marrë një ton kërcënues, në të njëjtën kohë duke dërguar të ashtuquajturat “mesazhe paqeje”, që i kënaqte dishepujt e tij nga qeveria dhe partia e tij, të cilët të gjithë vrapuan në media për të thonë se sa i mrekullueshëm ishte fjalimi i presidentit. Edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ishin të kënaqur me atë që dëgjuan nga Vuçiç. Por, pavarësisht nga vlerësimet pozitive që ai mori, ne e njohim Vuçiç më mirë, dhe ne e dimë se megjithatë, fjalët e tij ende kanë një fuqi boshe. Kjo është për shkak se, ne e kuptojmë se ai flet duke përdorur një gjuhë të koduar që veshi i papërvojë mund ta ngatërrojë me një fjalim normal.

Pra, kur Vuçiç u tha serbëve të Kosovës të dielën: “Po, po, ai, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, është shqiptar dhe unë duhet të flas me të”, kjo ishte një pasqyrim i racizmit të vjetër serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sepse shqiptarët nuk janë njerëz që janë “të denjë” për të folur, por që duhet të menaxhohen, qeverisen ose shkatërrohen. Kjo është arsyeja pse gjuha e Vuçiçit është ende e rrezikshme, ai vazhdon të mbështesë ndarjen dhe paragjykimet, duke ushqyer shpresat e rreme nacionaliste mes serbëve. Kjo vlen për serbët kudo, por më e rëndësishmja për ata nga Kosova dhe Bosnja. Ka një arsye të mirë përse Vuçiç nuk u tha serbëve të Kosovës se, Prishtina është kryeqyteti i tyre, ashtu siç nuk i ka thënë kurrë serbëve të Bosnjes se Sarajeva është e tyre. Vuçiç megjithatë tha, se Serbia mori pjesë në luftëra, në kundërshtim me vijën zyrtare të Beogradit se nuk ishte përfshirë kurrë drejtpërdrejt në konfliktet e viteve 1990 në Bosnjë dhe Kroaci. Kjo pjesë e fjalimit të tij ishte gjithashtu e maskuar si një mesazh i koduar, kur ai parafrazoi një varg, nga një këngë lufte që serbët i këndonin Millosheviçit në Gazimestan, në vitin 1989.

Menjëherë më pas duke thënë se, “tre luftëra përmenden në këngë, por kemi pasur disa”, Vuçiç “mbuloi” veten duke thënë: “Ky nuk ishte faji ynë, por jo edhe tërësisht e të tjerëve. Zyrtarisht dhe jo-zyrtarisht ne i ndihmuam vëllezërit tanë – serbët vdiqën për Kninin, në Kroaci, për Sarajevën, për Prishtinën”. Por ajo që duhet të thoshte është se, Serbia e përvetësoi Ushtrinë Popullore Jugosllave për të bërë luftëra kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës me ndihmën e njësive paraushtarake dhe policore serbe, së bashku me bandat vullnetare që u bënë pjesë e së njëjtës ushtri, trupat e të cilëve kryenin qindra krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe urdhëruan fushatat e gjenocidit dhe spastrimit etnik.

“Biznesi i papërfunduar”

Programi i Vuçiçit sot është plotësisht në përputhje me politikat e Serbisë të viteve 1990, të cilat synonin të krijonin një “Serbi të Madhe”, e njohur edhe si “Serbia Qiellore” – ideja që të gjithë serbët duhet të jetojnë së bashku në një shtet, i cili ishte i mundur vetëm nëse të gjitha etnitë e tjera vriten ose dëbohen nga territori. Vuçiç vetëm sa e ka denoncuar këtë politikë duke thënë: “Puna ime nuk është miti, ëndrra apo halucinacionet apo vizion i Kosovës pa shqiptarë apo Kosovës pa serbë. Puna ime është realiteti. Çfarë është sot, këtu dhe tani, në Kosovën e sotme, në Serbinë e sotme, jo në ndonjë Serbinë qiellore. Ne ramë nga ai qiell. Ne ramë dhe lënduam seriozisht veten. Kokat tona janë të mbuluara me gjak, krahët tona janë thyer”. Por përsëri, Vuçiç nuk po thoshte të vërtetën. Nuk kishte asnjë “vizion” të Kosovës pa serb, vetëm atë që ai e mbështeti për kaq shumë kohë – Kosova pa shqiptarë.

Për referenca të hollësishme se, si do të realizohej ky vizion në Kosovë, lexuesi këshillohet që të konsultohet me programin e Partisë Radikale Serbe gjatë luftërave, kur sekretari i përgjithshëm i saj ishte Aleksandar Vuçiç. Ajo që Vuçiç duhet të ketë thënë është se ne nuk arritëm të shkatërrojmë çdo jo-serb që qëndronte në rrugën tonë, ndërsa ne u përpoqëm të krijonim një shtet të pastër etnik, që kemi bërë luftë kundër të gjithë botës dhe që kemi humbur. Ai mund të ketë shtuar se sot po vuajmë pasojat e të gjitha mizorive që kemi kryer dhe se ka ardhur koha që ne të pranojmë realitetin e vështirë, të pranojmë të kaluarën tonë të kohës së luftës, të kërkojmë ndjesë dhe të përpiqemi të jetojmë në paqe me pjesën tjetër të botës.

Vuçiç e di këtë, por faktet nuk e ndalojnë atë nga ruajtja e shpresave nacionaliste midis serbëve rreth asaj se, si “rrethanat historike” do të lejojnë Serbinë të bëhet “e plotë” përsëri. Kjo ide që ka kushtuar kaq shumë jetë – unifikimi i “të gjitha trojeve serbe” në një dhe të pandashme “Serbi e Madhe” – është ajo që Vuçiç, ashtu si Millosheviç 30 vjet më parë, u ofroi serbëve të Kosovës. Ai nuk ofroi paqe me shqiptarët e Kosovës, sepse nëse po, ai do të duhej të kërkonte falje për të gjitha krimet e pahijshme kundër popullatës civile të Kosovës. Ai do t’i duhej t’u thoshte serbëve të Kosovës që ta kthenin shikimin e tyre në Prishtinë, me mbështetjen e Beogradit dhe për t’u integruar në shoqërinë kosovare – të njëjtën gjë që ai duhet t’i kishte thënë serbëve në Republika Srpska me shumicë serbe të Bosnjës, por që ai, si çdo tjetër sundimtar serb para tij, kurrë nuk ka bërë.

Fjalimi i Vuçiçit në Kosovë tregoi se projekti, “Të gjithë serbët në një shtet” mbetet parimi politik udhëzues i Serbisë. Kjo është arsyeja pse Kosova dhe Bosnja janë të pandashme në projektin nacionalist serb; kjo është arsyeja pse të dyja këto “çështje” ende konsiderohen “të pazgjidhura”; kjo është arsyeja pse ne dëgjojmë gjithnjë e më shumë se Serbia duhet të luftojë në “të dyja frontet”, sepse ato janë të ndërlidhura ngushtë dhe konsiderohen si biznese të papërfunduara nga vitet 1990.

Loading...