Fundosi Aleancën me Levicën dhe VMRO, tërhiqet Taravari
2 min read
Më në fund opozita shqiptare po reflekton dhe po kthehet nga vetvetja ose më saktë është një tentim për të parë se çfarë nuk shkon në gjithë këto humbje serike. Në këtë vijë është veprimi që vjen nga njeriu i dytë i ASH-së Arben Taravari i cili thekson se nuk do jetë sekretar gjeneral i Aleancës për shqiptarët, duke lënë hapësirë për figura të reja.
Kjo vjen pasi Taravari fundosi Levicën dhe VMRO-në, dy parti me të cilat ka pasur koalicion ASH-ja e që bashkë nuk arritën të bëjnë shumicë të re të cilën e lajmëruan shpesh dhe në fund dështuan.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes sepse ky vendim është një reflektim i shumë cikleve të humbura rresht dhe tashmë opozita duket se nuk mund të mbyllë sytë përpara këtij realiteti politik. Në këtë drejtim Taravari del të jetë politikani më burrërorë në këtë subjekt politik që tregon qartë se çfarë i duhet opozitës për të pretenduar të fitojë pushtetin në zgjedhjet që vijnë. Ai duket se është e kundërta e liderit të partisë që po blen kohë edhe kësaj rradhe për ta shmangur dorëheqjen e tij dhe për ti lënë vend figurave të reja fituese.
Në fakt Taravari nuk është se ka dalë keq në zgjedhjet lokale sepse ai e fitoi Komunën e Gostivarit edhe për një tjetër mandat por duke qenë sekretar i përgjithshëm i partisë ai vlerëson se pesha e përgjegjësisë është në gjithë strukturat dhe ekipin që ishin pjesë e këtij dështimi kur dihet se ASH fitoi vetëm dy Komuna, dhe thuajse u përgjysmua në numrin e votave që kishte në zgjedhjet paraprake Parlamentare.
A do të jetë ky fillimi i një opozitarizmi ndryshe ku dështakët nuk do ia kalojnë paqtë , kjo mbetet të shihet por paralajmërimi për dorëheqjen nga posti në parti i Arben Taravarit është vetëm një sinjal për një reformë të brendshme të partisë. Dorëheqja e Taravarit nga sekretari i partisë mund të jetë edhe një luftë për kreun e partisë.