Gashi kërkon bashkëpunim me gjithë opozitën
1 min read
Jemi të hapur për një bllok opozitar me të gjitha partitë Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, sonte në Tetovë mban një takim me strukturat e Alternativës. Ky është takimi i dytë i Gashit pas atij të Kumanovës, raporton Top24.
Para fillimit të takimit, Gashi ka theksuar se kryesia qendrore e partisë ka marrë vendim për hapjen e partisë për një bllok të ri opozitar.
I pyetur nëse kanë pasur takime me “Grupin e Zjarrit” dhe nëse kjo hapje vlen edhe për ish-partinë e tij, Lëvizjen Besa, Gashi tha se kontaktet me të gjithë do të fillojnë nesër.
“Nuk kemi ndonjë gjë konkrete për momentin, por sot kemi pasur një mbledhje të menaxhmentit dhe kemi marrë vendim që të hapim një kanal për bashkëpunim me subjektet e tjera dhe në ditët në vijim do të shikojmë të komunikojmë me të gjitha palët. Ne duam të komunikojmë me të gjitha palët dhe më pas të shohim se cila është mundësia e bashkëpunimit”.