Gazetari i Kanal 5 thumbon kryetaren e Shkupit dhe kryetarin e Sarajit: Po lejojnë EKOCIT në burimin e ujit të kryeqytetit (VIDEO)

Gazetari i televizionit Kanal 5, Aleksandar Vidinovski, përmes një videoje të publikuar në faqen e tij në facebook, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska dhe komunën e Sarajit, për siç e quan ai “EKOCITIN” që po ndodh në Rashçe, në zemër të natyrës që furnizon kryeqytetin me ujë të pijshëm.

Vidinovski nis denoncimin e tij me pamje nga afërsia e fshatit Radushë, përkatësisht pranë burimit Rashçe, një pikë strategjike e rëndësisë së lartë për sigurinë ujore të Shkupit. Në një ton alarmues, gazetari thekson se në këtë zonë nuk guxon të ketë as edhe një letër, ndërsa në realitet siç shprehet ai atje po ndodh një katastrofë ekologjike që institucionet po e injorojnë.

Postimi i plotë i Aleksandar Vidinovskit vijon me tone të rënda dhe konkluzione të qarta:
“Nga viti 2022 e deri më sot, kemi realizuar dhjetëra reportazhe për papastërtinë tashmë absurde në Maqedoni, por edhe për gjendjen e objekteve me rëndësi shtetërore dhe kombëtare. Ky nuk është vetëm një problem ekologjik, por një problem i madh politik – sepse ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si qytetarët e përjetojnë vendin e tyre dhe si sillen ndaj tij. Ndikon edhe në perceptimin që kanë të huajt për ne si popull dhe si shtet.
Prej vitesh, politikanët nuk duan ta kuptojnë këtë. Rezultati është se e kemi shndërruar Maqedoninë në vendin më të ndotur të Evropës – dhe kjo është një humbje e madhe për të gjithë.

Nëse diçka do me të vërtetë, e ruan dhe e kujdesesh për të. Nëse nuk ke ndjenja për të, e lë të kalbet dhe lejon që çdokush të bëjë çfarë të dojë me të. Është kaq e thjeshtë. Derisa të pastrohemi dhe të rregullohemi, nuk kemi të drejtë të kërkojmë respekt nga askush.”

Me këtë videomesazh dhe apel publik, Vidinovski rikthen në vëmendje çështjen kritike të neglizhencës institucionale ndaj mjedisit, duke i kërkuar publikisht kryetares Arsovska dhe Komunës së Sarajit që të marrin përgjegjësitë e tyre seriozisht.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights