Gjatë vizitës në Gostivar, ministri Ljutkov dhe zëvendësministri Sulejmani premtojnë mbështetje për trashëgiminë kulturore

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, dhe zëvendësministri Sedat Sulejmani realizuan sot një vizitë pune në Gostivar, ku vizituan institucionet kulturore dhe objektet me rëndësi kulturore.

Pas mbërritjes në Gostivar, ata u pritën nga drejtorët e institucioneve lokale kulturore, të cilët prezantuan aktivitetet aktuale dhe projektet e ardhshme që realizohen me mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, si dhe diskutuan për sfidat me të cilat përballen këto institucione gjatë punës së tyre. Ministri Ljutkov theksoi rëndësinë e mbështetjes së aktiviteteve kulturore në qytet dhe zgjidhjes së sfidave ekzistuese.

Vizita nisi në Qendrën për Kulturë “ASNOM”, ku drejtoresha Farije Adili prezantoi projektet aktuale dhe planet e ardhshme të institucionit. Më pas, u zhvillua takim me drejtorët e Teatrit të Gostivarit, Sulejman Rushiti, dhe të Galerisë së Gostivarit, Luan Zenki, të cilët gjithashtu prezantuan aktivitetet dhe sfidat e tyre.

Ministri Ljutkov dhe zëvendësministri Sulejmani vizituan Qendrën Nacionale për Konservim, ku drejtori Cvetko Novakovski i informoi për projektet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në rajon. U theksua posaçërisht rëndësia e objekteve si Xhamia e Vjetër në Raven, e cila përbën trashëgimi të rëndësishme kulturore për Gostivarin. Ministria e Kulturës dhe Turizmit këtë vit do të investojë 1.500.000 denarë për punime shtesë në këtë xhami.

“Sot vizituam disa objekte që janë pasuri e rëndësishme kulturore e Gostivarit. Aktualisht jemi përpara Xhamisë së Vjetër në Raven, një trashëgimi e rëndësishme kulturore nga shekulli XIX, e cila më vonë është prekur nga zjarr dhe është restauruar. Gjatë viteve të fundit në këtë objekt janë kryer disa ndërhyrje. Në vitin 2025, Ministria do të ndajë 1.500.000 denarë për përpunimin e pjesëve prej druri në enterier, përpunimin e fasadës së minares dhe përfundimin e rregullimit të oborrit të xhamisë,” deklaroi Ljutkov.

Ministri Ljutkov vizitoi gjithashtu kishën “Shën Dhimitri”, si dhe disa objekte të tjera me rëndësi, duke përfshirë: Shtëpinë e Beut, shtëpinë e Ahmet Çakos, Kullën e Sahatit dhe Medresenë e Vjetër. Kisha “Shën Dhimitri”, e ndërtuar në vitin 1840, këtë vit do të përfitojë fazën e dytë të projektit për konservim dhe restaurim arkitekturor, për të cilin janë ndarë 2.124.000 denarë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Ministri Ljutkov theksoi se pasuria e rëndësishme kulturore e Gostivarit është arsyeja pse ky qytet përbën një destinacion tërheqës për turistët dhe se Ministria do të vazhdojë përkushtimin e saj për realizimin e projekteve që do të mbrojnë dhe promovojnë vlerat kulturore në mbarë Maqedoninë e Veriut.

“Vizita e sotme në Gostivar është dëshmi e përkushtimit tonë ndaj trashëgimisë kulturore dhe pasurisë që mbart ky rajon. Kultura nuk është vetëm pasqyrim i historisë sonë, por edhe themeli i së ardhmes. Me mbështetjen e institucioneve kombëtare, punojmë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, e cila është bazë për zhvillimin e turizmit. Ky qytet është i pasur me monumente unike historike, nga Xhamia e Vjetër në Raven deri te Shtëpia e Beut, që dëshmojnë për të kaluarën tonë. Prandaj, angazhimi ynë kryesor është të vazhdojmë me realizimin e projekteve që jo vetëm do të mbrojnë vlerat tona kulturore, por edhe do ta bëjnë Gostivarin dhe Maqedoninë destinacion atraktiv për të gjithë ata që dëshirojnë të zbulojnë traditën tonë të pasur kulturore dhe historike,” theksoi ministri Ljutkov.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights