Gjykata rrëzon kërkesën e Kryemadhit për revokimin e masës ‘detyrim paraqitje’

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, për revokimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” që ishte caktuar ndaj saj. Kryemadhi akuzohet nga SPAK për tri vepra penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, dhe “Refuzim për deklarim dhe fshehja e pasurive”.
Pas shqyrtimit të kërkesës, gjyqtari Erjon Çela vendosi të mos e pranojë kërkesën e deputetes, duke i lënë në fuqi masën e sigurisë. Kryemadhi kishte paraqitur kërkesën më 2 prill, duke kërkuar që masa të revokohej, por GJKKO vendosi të mbante në fuqi vendimin për të.
Sipas vendimit të gjykatës, Kryemadhi ka mundësi të ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve. Ajo do të vijojë të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Posaçme çdo të hënë të parë të muajit në orën 12.00.