Gjykata sot pritet të shpallë vendimin për Dodik; Në BeH kanë hyrë 70 specialë hungarezë, janë rritur masat e sigurisë

Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës sot pritet të shpallë vendimin për çështjen kundër Milorad Dodik, presidentit të Republikës Sërpska, dhe Miloš Lukić, drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS.
Dodik dhe Lukić akuzohen se sistematikisht minojnë autoritetin shtetëror përmes miratimit të ligjeve që “shkëpusin” RS nga juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe refuzojnë të njohin vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare. Prokuroria e BeH-së pretendon se këto ligje kanë rrezikuar drejtpërdrejt sovranitetin e shtetit dhe kanë hapur rrugën për shkëputjen de facto të RS, raportojnë mediat serbe.
Dodik ka paralajmëruar se vendimi do të “refuzohet” nëse ai shpallet fajtor dhe se RS do të fillojë të tërhiqet nga institucionet qendrore shtetërore. Ai tha se për gjithçka do të negociohet sërish “pa të huaj” ose, përndryshe, do t’i propozojë Serbisë krijimin e një konfederate me RS.
Republika Sërpska ka paralajmëruar masa radikale në rast të një vendimi dënues. Partia në pushtet ka shpallur një protestë dyditore, ndërsa opozita lokale ka bërë thirrje për bojkot të tubimit.
Policia Kufitare e BeH ka marrë njoftim për hyrjen e 70 pjesëtarëve të policisë hungareze kundër terrorizmit, sipas mediave serbe, ndërsa Dodik më herët ka deklaruar se këtë javë në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë arritur 300 pjesëtarë të policisë speciale hungareze.
Ata kanë hyrë në Bosnjë dhe Hercegovinë dy ditë më parë për trajnime dhe stërvitje me pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska.
Milorad Dodik ka thënë se nuk do të paraqitet në shpalljen e vendimit të mërkurën për akuzën që e ngarkon për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.
Në territorin e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës janë rritur masat e sigurisë.