Gratë në Bashkimin Evropian paguhen mesatarisht 13 për qind më pak se burrat që bëjnë të njëjtën punë, pavarësisht se kanë të drejtë për pagë të barabartë sipas ligjit të BE-së, njoftoi sot Komisioni Evropian.
“Paga e barabartë për të njëjtën punë apo punë me vlerë të njëjtë është një nga parimet bazë të BE-së. Kjo u deklarua në Traktatin e Romës në vitin 1957”, thuhet në një deklaratë të Komisionit.
“Megjithatë, progresi në mbylljen e hendekut gjinor të pagave ngeci këtë vit dhe ka qenë i ngadaltë për vite me radhë”, thuhet në raport.
Për të ndihmuar në trajtimin e problemit, Komisioni nxori Direktivën për Transparencën e Pagesave, e cila hyri në fuqi në fillim të qershorit.
Direktiva, një ligj i BE-së, përcakton kuadrin për zbatimin e idesë së “punës me vlerë të barabartë” dhe kriteret krahasuese që përfshijnë aftësitë, punën, përgjegjësinë dhe kushtet e punës.
Qëllimi i direktivës është të ndihmojë punëtorët të njohin dhe të kundërshtojnë diskriminimin e pagave. Por tani duhet të transpozohet në ligjet kombëtare, gjë që 27 vendet e BE-së kanë tre vjet për ta bërë.