“Hagë, Mbrojtja e Viktimave kërkon pranimin e dy aktekspertizave në çështjen Thaçi dhe të tjerët”

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë bërë të ditur se më 2 maj Mbrojtja e Viktimave ka dorëzuar dy aktekspertiza dhe ka kërkuar që ato të pranohen si prova në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit zyrtar, njëra prej aktekspertizave trajton dëmin psikologjik të pësuar nga viktimat pjesëmarrëse në këtë proces, ndërsa tjetra vlerëson dëmin material të tyre. Po ashtu, Mbrojtja e Viktimave ka kërkuar që të pranohen si prova edhe aktekspertiza të mëparshme nga gjykimet ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, duke theksuar se këto lidhen drejtpërdrejt me viktimat aktuale të kësaj çështjeje për krime lufte.
Ndërkohë, po më 2 maj, Trupi Gjykues hodhi poshtë një kërkesë të Mbrojtjes së Kadri Veselit për të apeluar dy vendime të mëparshme të gjykatës në lidhje me pranueshmërinë e provave.
Gjatë një seance për ecurinë e procesit, gjykatësit urdhëruan Mbrojtjen e Viktimave që të jetë e gatshme për të paraqitur argumentet e saj në muajin korrik. Procesi ndaj Thaçit dhe bashkë të akuzuarve po vijon me ritëm të ngadaltë, ndërsa vëmendja është përqendruar te faza e paraqitjes së provave.