Brigadat Qassam të Hamasit kanë kërcënuar se do të ekzekutojnë të burgosurit izraelitë nëse Izraeli vazhdon të bombardojë dhe vrasë civilët në Gaza.
“Çdo shënjestrim i civilëve të pafajshëm pa paralajmërim fatkeqësisht do të shoqërohet me ekzekutimin e një prej të burgosurve në paraburgimin tonë dhe ne do të detyrohemi ta transmetojmë atë,” tha Abu Obeida, një zëdhënës i Brigadave Qassam të Hamasit.
“Na vjen keq për këtë vendim, por e mbajmë armikun Izrael dhe udhëheqjen e tyre përgjegjës për këtë”, tha ai, sipas Al Jazeera.
Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen tha se autoritetet e vendit të tij besojnë se Hamasi ka kapur më shumë se 100 njerëz dhe i ka çuar në Gaza.
Pas njoftimit se Brigada Al-Qassam po kërcënon me ekzekutimin e të burgosurve dhe njoftimit se Izraeli do të vazhdojë të bombardojë Gazën edhe me çmimin e rrezikimit të pengjeve izraelitë, jeta e tyre tashmë është në rrezik ekstrem.