Hani i Elezit, Rexhepi – marsh përkujtimor për eksodin e shqiptarëve të Kosovës

Me rastin e 26-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës në kufirin Hani i Elezit–Bllacë, Unioni i Shoqatave Bjeshkatare Shqiptare të Maqedonisë së Veriut do të organizojë një marsh përkujtimor nën moton “Marshi i Paqes BLLACË ‘99”.
Ky aktivitet do të mbahet të dielën, më 6 prill 2025, për të kujtuar këtë ngjarje të dhimbshme dhe për të nderuar viktimat e atij eksodi masiv. Marshi do të zhvillohet nëpër një shteg të lehtë malor, që lidh Kaçanikun me Hanin e Elezit, duke ndjekur gjurmët e shqiptarëve që kaluan aty gjatë vitit 1999.
Detajet e marshit:
- Marshuesit nga Maqedonia e Veriut do të nisen në orën 07:30 nga pika Stenkovec në dalje të Shkupit.
- Marshi do të nisë nga qendra e Kaçanikut në orën 08:30.
- Arritja në Qendrën Memoriale “Bllaca ‘99” në kufirin Hani i Elezit–Bllacë është parashikuar për orën 13:00.
- Në orën 13:30 do të mbahet një deklaratë për media nga organizatorët.
- Kthimi për në Stenkovec do të bëhet në orën 14:00.
Bashkëorganizator i këtij aktiviteti është edhe Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, me seli në Prishtinë.
Organizatorët ftojnë mediat dhe opinionin e gjerë që të marrin pjesë dhe ta ndjekin këtë ngjarje përkujtimore që ruan gjallë kujtesën historike të një prej kapitujve më të dhimbshëm të popullit shqiptar.