Haradinaj nga Gllogjani: Lufta e UÇK-së forcoi aleancën tonë me NATO-n dhe SHBA-në

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore në Gllogjan, ku janë nderuar dëshmorët Arben dhe Luan Qerimaj, në përvjetorin e rënies së tyre.

Në fjalën drejtuar të pranishmëve, Haradinaj theksoi se ky përvjetor është një kujtesë e fortë për sakrificat e brezit të luftës dhe për qëndrueshmërinë e idealeve që sollën lirinë e Kosovës. Ai përkujtoi edhe bashkëluftëtarët e rënë në të njëjtën ditë: Rexhep Tafaj, Ekrem Berisha, Fetah Selca, Beslim Alijaj dhe Haki Krasniqi, duke i quajtur “figura të paharrueshme të rezistencës shqiptare”.

“Të gjithë ishin luftëtarë të guximshëm që sakrifikuan gjithçka për atdheun. Kujtimi për ta është frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë,” tha Haradinaj.

Ai nënvizoi se liria e Kosovës u arrit përmes përpjekjeve të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, sipas tij, shtriu themelin e bashkëpunimit strategjik me NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Lufta jonë çlirimtare jo vetëm që solli lirinë, por edhe hapjen e një kapitulli të ri – atë të aleancës sonë me Perëndimin, e veçanërisht me Amerikën. Kjo aleancë është vlera jonë më e madhe dhe duhet ruajtur me përgjegjësi,” u shpreh ai.

Në përmbyllje, Haradinaj ritheksoi vizionin e tij për një Kosovë të angazhuar aktivisht në sigurinë globale dhe të integruar plotësisht në NATO, duke theksuar se rrugëtimi drejt kësaj synimi vazhdon me përkushtim.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights