Heshtja që vrau më shumë se plumbi

Komandant, a nuk ishte pikërisht bashkëpunimi yt me regjimin e Gruevskit akti më i rëndë anti-shqiptar i asaj kohe? Kur Harun Aliu – njëri nga emrat më të përkushtuar të rezistencës shqiptare – u vra pa mëshirë në një atentat shtetëror, ti ishe në pushtet. Jo në burg, jo në protestë, por në qeveri. Dhe kur populli priste të dëgjonte zërin tënd, dëgjoi vetëm heshtjen.

A nuk ishte ajo kohë kur komandantët e luftës përfundonin të vrarë ose të montuar në procese të turpshme gjyqësore? A nuk ishte ajo periudha kur autobusët në Shkup u kthyen në qelira të përkohshme për të rinjtë shqiptarë, që rriheshin vetëm pse flisnin gjuhën e nënës?

Smilkovci, Monstra, Brodeci, rastet e Kumanovës – një pas një – të gjitha ishin skenarë që synonin ta identifikonin shqiptarin si kriminel. Dhe ndërkohë që populli digjej në dhimbje, partia jote numëronte vota dhe bënte pazare. Në krah të kujt? Të një regjimi që kishte vetëm një objektiv: nënshtrimin dhe poshtërimin e shqiptarëve.

Apo mendoni se kemi harruar? Nuk harrohet gjaku i Harun Aliut. Nuk harrohen plagët e Shaban Zenunit, as lotët e familjeve që kërkonin drejtësi, ndërsa ju kërkonit vetëm poste.

Nëse sot flisni për barazi, drejtësi e përfaqësim, kujtoni se shqiptarët nuk janë amnezikë. Historia nuk fshin heshtjen e turpshme përballë vrasjeve. Ajo e arkivon.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights