“Afër detit, afër mbretit.”. Glauku, mbreti që rriste mbretër.

vull

Pirro dhe molosët në oborrin e Glaukut dhe Beroeasë. Beroea ishte molose, por emri i saj do të thotë borë, veri. Molosët dhe taulantët janë njësoj veriorë/malësorë/pyjorë, veçse të vendosur në zona të ndryshme.

Mbreti Glauk (ose Glaukia) i fisit të madh të taulantëve, një prej gjashtë fiseve të para ilire, mbretëroi në vitet 335 – c. 302 para Krishtit. Ilirët nuk janë qeverisur kurrë si popujt e tjerë rrethues, me burokratë, struktura të korruptueshme shteti të mirëfilltë, etj., por prej kryepleqsh, të parësh të fisit, i cili, teksa rritej në numër, bëhej gjithmonë e më i fortë, e po kështu edhe prijësi i tij. Në këto kushte, mbretit Glauk fjala nderuese e deri diku përkëdhelëse “Lalë” e të tijës Shqipëri e Mesme i shkon më së miri.

Emri i tij me shumë gjasa vjen ose është frymëzuar prej krijesës mitologjike Glaukus, një lloj hyjnie deti i epokave ilire e që do të thoshte “blu në të gjelbër”. Duke qenë se mbretëria e tij ishte pikërisht e vendosur buzë detit Adriatik dhe përfshinte krejt Shqipërinë e Mesme e deri në kufijtë me maqedonasit (të cilët s’i donte hiç), si edhe me shtrirje në zonat e Malit të Zi dhe Bosnjës së sotme, emërtimi i tij sipas këtij hyjnie detar është më se i përshtatshëm.

Duhet shtuar këtu se emri Glaukia është i përmendur shpeshherë në mitologjinë dhe antikitetin iliro-pellazg: 1) hyjnia Glauk, i cili tregonte mirëdashje ndaj detarëve dhe i ndihmonte në lundrimet e tyre; 2) Glauku ishte edhe një prej dymbëdhjetë bijve të Panit, hyjit të natyrës së egër; 3) Glauku, biri i Sizifit dhe plejadës Merope, kalorësi i madhërishëm që i ushqente kuajt me mish njeriu e që vdiq pikërisht duke kalëruar; 4) Glauku që mendohej se ishte ati i Ledës, ajo që lindi Dioskurët, Helenën dhe Klitemnestrën spartane; 5) Glauku, biri i mbretit Minos të Kretës, që vdiq pasi ra në mjaltë e u ringjall e pastaj sulmoi tokat italike dhe qe i pari që i paraqiti popujt italike me përdorimin e brezores dhe mburojës ushtarake; 6) Glauku, nip i Belerofonit (atij që zbuti kalin fluturues Pegaz), që drejtonte forcat liciane aleatë të trojanëve; 7) Glauku, bir i mbreti Priam të Trojës; 8) Glauku, bir i një udhëheqësi të Trojës e që u la gjallë në djegien e Trojës, duke vijuar kështu gjakun trojan; 9) Glauku, një prej pretendentëve të Penelopës në vonesën e Uliksit; 10) Glauku nga Azia e Vogël (ku gjendej Troja) e që u vra nga Jasoni dhe argonautët; 11) Glauku, biri i Aretit, që luftoi kundër Dionisit në luftën kundër Indisë; 12) Glauku, biri i Aeptit nga Arkadia ose zonat përreth. Duket se tri janë domethëniet e përsëritura në çdo përdorim të këtij emri të bukur: 1) absolutisht indoevropian si racë dhe krenarisht barbarë; 2) lidhje e ngushtë me detin dhe lundrimin, nga të dyja anët e Ballkanit; 3) aftësia dhe lidhja e ngushtë me kuajt. Të gjitha këto ishin në mbretin Glauk, në taulantët e në çdo fis ilir.

Hyji detar Glauk dhe nimfa tokësore Skila. Glauku ishte i dashuruar me të, por ajo e neveriste trupin e tij me luspa. Glauku kërkon një lëng magjik nga shtriga Circe për t’i fituar zemrën Skiles, por Circe dashurohet me Glaukun, i cili nuk ia kthen dashurinë. Atëherë, Circe përgatit një lëng të cilin Glauku nuk e dinte se ishte e kundërta e çfarë kishte porositur. Skila e pi lëngun dhe kthehet në një përbindësh që i neveritej edhe vetë kur shihej. Kemi në këtë mit rikrijimin e mitit të Peleut dhe Tetit, prindërve të Akilit (edhe Teti kishte vetinë e ndërrimit të trajtës në kafshë të ndryshme), si edhe të Meduzës, e cila u shndërrua në përbindësh nga xhelozia e Athinës. Në bazë mbetet dashuria e detit për tokën dhe anasjellas, më së shumti e pakthyer nga cilado paraqitet si femër në mit (Teti detare dhe Skila tokësore).

Emër tej mase të bukur e domethënës kishte edhe ati i Glaukut, Pleurati. Duket se përfshihet në këtë emër tradita shqiptare të prindërve që u lënë uratën fëmijëve të tyre para se të vdesin. Jo më kot ende sot ndër shprehjet e para ngushëlluese që përdorim ndaj dikujt që i ka vdekur prindi (tashmë përdoret edhe për njerëz të tjerë) është “Ju pastë lënë uratën!”. Pleurat: po të lë uratën. Pleurati plagosi në betejë atin e Aleksandrit të Madh, Filipin II. Ndoshta aty e humbi syrin e famshëm Filipi? Vetë Aleksandri, në rininë e tij, vinte vazhdimisht në “pelegrinazh” te Glauku, herë i shoqëruar nga i ati Filip që donte t’i mësonte burrëri, herë nga e ëma Olimbi kur Filipi mërzitej me të e asaj i duhej të sigurohej që Aleksandrit t’i rrinte koka mbi supe.

Në kohën e Glaukut, taulantët ishin gjithmonë gjembi në mish i maqedonasve dhe, me shumë gjasa, arsyeja pse pushtimet e Aleksandrit u prinë nga lindja dhe jo perëndimi përtej Adriatikut. Si gjithmonë në histori, nuk hidhet kush lehtë në anën tjetër të Adriatikut pa u zhdëpur në Taulanti. Aleksandri ishte jo vetëm i fortë, por edhe shumë i mençur dhe, pasi mezi i mundi Taulantët e Dardanët jo në fushë beteje, por natën kur këta ishin në garnizone të verosur e të përgjumur, e la me aq përballjen me ta dhe mori drejt lindjes. Më pëlqen të mendoj se, përveç tundimeve lindore, Aleksandri e dinte se e kishte më lehtë me Babiloninë se me Gegërinë. Betejën e tij të parë madhore pa ndihmën e atit Filip Aleksandri e pati pikërisht kundër lidhjes taulanto-dardane në atë që sot njihet si beteja e Pelionit pranë Selcës së Poshtme sot, në dhjetor të vitit 335 para Krishtit (betejë dimërore, e pazakontë për fiset evropiane). Filipi i kishte paqtuar disi këto fise luftarake, më së tepërmi me anë të martesës së tij me një princeshë dardane (e cila ishte vetë luftëtare dhe ashtu rriti edhe të bijën). Por, me vdekjen e tij dhe hipjen në fron të Aleksandrit – i cili nuk shihej me fort dashamirësi nga ilirët, për shkaqe që unë preferoj të mendoj se kanë të bëjnë me ambicien e shfrenuar e të famshme të Olimpisë, si edhe me faktin se Aleksandri e detyronte shumë veten të ngjante grek e jo barbar si ilirët dhe si vetë maqedonasit – këto fise nuk kishin më interes për paqe me Maqedoninë.

Belerofoni dhe Pegazi vrasin kimerën. Belerofoni paraqitet gjithmonë ose me plisin frigas, ose me përkrenaren me flokë kali, si ilirët, spartanët dhe trojanët.

Nga ana e të luftuarit të drejtpërdrejtë e klasik, ilirët e fituan bindshëm betejën, por, a thua se ishin vërtet paraardhës të shqiptarëve, bënë golin e parë dhe e fjetën mendjen. Në përfundim të përleshjes së parë, taulantët dhe dardanët u shtruan qetësisht, hëngrën e pinë verë, pa ngritur asnjë lloj gardhi përreth kampit, me bindjen se tashmë Aleksandri ia kishte mbathur përfundimisht me trupat e tij. Por Aleksandri sulmoi natën. Rezultati ishte zënia e trupave në befasi, rrëmujë totale, mundje e ilirëve dhe përçarje secili nëpër tokat e veta. Kliti më pas e dogji Pelionin që pasuritë e tokat të mos binin në duart e Aleksandrit. Më pas iku pranë Glaukut diku në Shqipërinë e Mesme (mendohet diku pranë Tiranës së sotme). Aleksandri e fitoi betejën, por kostoja ishte e tillë që kurrë më nuk do të çante drejt perëndimit të Maqedonisë në toka ilire. Do të mjaftohej me tribute e me ushtarë, por fushatat pushtuese do t’i kishte vetëm drejt Lindjes.

Bashkimet e para veri-jug, Gegëri, Labëri e Toskëri, janë vepër e Taulantëve. Si Pleurati para tij, edhe Glauku ishte mik i madh i dardanëve, si dhe në krushqi e miqësi edhe me molosët epirotë në jug. Kurrë Glauku nuk e la të luftonte vetëm Klitin dardan, as ua shiti Molosin maqedonasve. Se si Glauku dhe nusja e tij molose, Beroea, e morën në mbrojtje, e rritën dhe e bënë mbret të Epirit Pirron, duke na dhënë madhështorin që njohim nga historia, do ta përshkruaj më në detaje në postimin taksur për Pirron. Këtu do të them shkurtimisht se, me shumë gjasa, tradita kanunore e vendosjes së fëmijës në pragun e shtëpisë së hasmit për të kërkuar falje të gjakut duke dhënë një djalë për një djalë vjen pikërisht nga kjo ngjarje madhore historike, ose të paktën është një rast ku kjo traditë na shfaqet në lashtësinë tonë. Në përpjekje për ta shpëtuar princin e tyre të mitur nga Kasandri maqedonas që e ndiqte për ta vrarë siç i kish vrarë prindërit, molosët besnikë shkuan në oborrin e Glaukut dhe e vendosën fëmijën Pirro tek këmbët e Glaukut. Nëse e pranonte, jeta e Pirros shpëtonte. Nëse jo, do të vdiste në duart e maqedonasve, sepse shpëtim tjetër nuk kishte. Pirro u kap pas këmbës së mbretit dhe këtij iu shkri zemra dhe e mori dhe e rriti si të tijin. Kur erdhi koha, Glauku veproi si një zot i vërtetë unazash dhe kreu “Kthimin e Mbretit” në Epir. Çfarë vjen më pas është histori. Histori e mundësuar nga fisnikëria dhe burrëria e Glaukut, model që Pirro e përsëriti aq bukur në jetën e tij të lavdishme.

Frymëzimi im personal në figurën e Mbretit Glauk? Pikë së pari sepse ishte kryeplaku e mbreti i anëve nga jam vetë në Shqipëri, pra, mund të thuhet se bëhet fjalë për thirrje gjaku (ku i dihet deri në ç’pikë?). Së dyti, sepse ai është i pari që ka bërë bashkim krejtësisht të natyrshëm e të pashtrënguar të shqiptarëve dhe, siç e dimë, të bërët tonë bashkë nuk është gjë e lehtë. Edhe vetë Skënderbeu zor se arriti llojin e bashkimit që Glauku bëri, i nderuar, i pasur frikë dhe i dashur njëlloj nga veriu, jugu dhe fqinjët tanë trazovaçë në lindje. Së treti, për frytet e veprës, jetës dhe karakterit të tij. Duhet të ketë qenë një burrë i madh, hijerëndë e shpirtmadh nëse arrinte të tërhiqte e të mbante të bindur aq shumë njerëz të mëdhenj dhe të ishte ndikimi më madhor në ndërtimin e Pirros së madh. Së katërti, sepse që prej lashtësisë, ai është provë e besës, vlerave dhe pozitës si vend pelegrinazhi që Shqipëria e Mesme ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë ndër Iliri, sado t’ia humbasim vlerat apo ta përçmojmë për arsye që nuk i kuptoj. Nuk vjen liri në Iliri, Arbëri e Shqipëri pa kaluar më parë në Taulanti. Së pesti, sepse ishte ndoshta ekskluzivisht ai vetë, barbari fisnik e i pamposhtur, që e shtyu Aleksandrin drejt Lindjes në fushatat e tij që janë themelore për historinë e botës jo vetëm si ngjarje, por mbi të gjitha për përhapjen demografike të indoevropianëve në më shumë se një pjesë të botës, përhapjen e mendësisë sonë dhe përgatitjes që më pas edhe ajo pjesë e botës të kishte nocionet e kulturës dhe mendimit “grek” si pararendës i përhapjes së krishterimit në kohën e vet. Fundja, prej këtyre lëvizjeve kemi edhe hunzakët/burushët (me shumë gjasa) ilirë në malësitë e Pakistanit verior.

Së pesti, sepse Glauku është mishërimi i gjallë i fjalës sonë të urtë “afër detit, afër mbretit”, si një përshkrim proverbial për dëshirën e shpirtit për indoevropianët kudo. Afër detit ishin tokat e bukura të denja për një mbret si ai, dhe ai ishte mbreti i denjë i këtyre tokave të arta.

Glauku, mbreti i taulantëve, statuja e përgatitur për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Next Post

Bato, baca ilir që luftoi kafazin "e artë" të Romës

Bato, Baca i desiatëve, degë e fisit të dalmatëve. Emrat që dimë për prijësit ilirë janë tituj më shumë se emra të përveçëm pa kuptim. Bato ishte kryetar fisi, pra Bacë, por titulli është ruajtur i latinizuar. Për më tepër, ky nuk ishte Batoja i vetëm i kryengritjes. Ishte edhe […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: