Gani Geci ishte grushtuar me një ushtar të UÇK-së, e rrethuan më pastaj për ta arrestuar

vull
0 0
Read Time:4 Minute, 18 Second

Gani Geci / Lufta pa maska

Më duhet të përmend një fakt të hidhur. Fjala është për një konflikt që më ndodhi me Idriz Mehmetin. Miftar Bajraktari ka dhënë shpirt në shtëpinë e hoxhës, babait të Idrizit nga Krasmirofci. Konflikti ishte për motive politike të më hershme dhe për dy grushtime. Bëhet problem i madh ushtarak. Kështu aktivizohet një njësi e më rrethon për të më arrestuar. Kur më rrethuan, kërkuan t’i dorëzoja armët. – Jo, – thashë, – armën nuk e dorëzoj, se nuk e kam rrokur për ta dorëzuar. Po kush do të ma marrë, le të vijë! Kjo skenë ka ndodhur në qendër të Qirezit. Në atë njësi bënin pjesë do hajna që turreshin të çarmatosin ushtarët, ishin do krijesa të imëta që kanë bashkëpunuar me Serbinë pandërprerë, po pastaj morën pozita në UÇK.

Ata ishin krejt njësiti i Prellofcit me Jakup Nurën në ballë. Kur dëgjoi fjalët e mia: – Pushkën mua s’ka as shqiptar, as shka që ma merr, se nuk e kam marrë për ta dorëzuar, pa u vrarë!, Jakupi e kuptoi situatën dhe më thotë: – Ani pra, po bisedojmë!, më thanë. Kur dëgjojnë disa ushtarë të Oshlanit, të cilëve u kisha dhënë ndihmë në Oshlan, se këta më kanë rrethuar dhe se do luftojmë mes veti, vijnë dhe e rrethojnë njësitin e Prellofcit për të më dalë në ndihmë. Pastaj më kanë ardhur në ndihmë edhe fshati Llaushë. Ndërkohë vjen edhe Fehmi Lladrofci të cilin e kisha takuar në Ticë, por nuk njiheshim mirë. Ndërsa Ramizin, vëllain e tij e njihja më mirë, jemi njohur në Gjermani. Fehmiu ishte me Xheven dhe aty erdhi edhe Fehmi Nika nga Gllanasella. Fehmi Nika kishte thënë: – Për Zotin nuk kam mundur t’i ndihmoj Gani Gecit në luftë me shkije, por kësaj radhe do t’i ndihmoj! Shkuam në Rezallë për të biseduar, ndërkohë kishin ardhur për të më ndihmuar edhe Naim Geci, Habit Haziri, të shoqëruar nga shumë ushtarë të tjerë. Më pyetën se ku preferoja të bisedojmë. Thashë shkojmë në Rezallë duke pasur parasysh se gjatë luftës së Shaban Polluzhës, Rezalla ka qenë nga fshatrat me të forta. Po edhe tash në këtë luftë Rezalla ka bërë shumë.

Me përgjegjësi mund të them se ku kanë qenë njësitë e Rezallës dhe të Morines, jo vetëm që kanë rezistuar, por aty shkau nuk ka mundur të depërtojë. Vlen të thuhet se shkijeve u kanë shkaktuar humbje të mëdha dhe u kanë shkatërruar ty-tri tanke e disa autoblinda. Shkuam në Rezallë dhe hymë në një shtëpi. Fehmiu tha se ky do mbetet problem ushtarak dhe do ta çojmë deri në fund. I thashë Fehmiut, po ne jemi dy ushtarë të thjeshtë. Pra janë rrahur dy ushtarë dhe çka do që të ndërmerrni, mund të më jepni një dënim prej shtatë ditësh. Fehmiu tha, – këtë do ta çoj deri në Shtabin e Pëgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ngjarje ka ndodhur në gusht të vitit 1998. Ne dinim se kemi pasur një komandant, që ishte Adem Jashari, më vonë për Drenicë ishte Sylejman Selimi dhe meqenëse komandantët e zonave, siç ka pohuar komandant Rremi, nuk e njihnin komandantin e Shtabit të UÇK-ës, atëherë del pohimi edhe i Ramush Hajredinit se Shtab të Përgjithshëm nuk kishte, e nuk kishte as Komandant të Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm ka lëshuar komunikata edhe sa ishte gjallë Adem Jashari. Atëhere këta që thirreshin në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së do duhej të na tregonin se sa komunikata i ka nënshkruar Komandanti legjendar Adem Jashari? Pra kishte vetëm komandantë zonash lufte pa hierarki vertikale të komandimit.

Ndërkohë ka ardhur Sami Lushtaku dhe një oficier me emrin Agron dhe thanë se ai që del nga këtu pa u pajtuar do ta marrë barrën e Ushtrisë Çlirimtare në shpinë. Edhe pse ata nuk donin të pajtoheshim, unë thashë po, unë dua pajtimin. Fehmiu tha: – Do t’i qërojmë hesapet deri në fund që nga dita e sotme! Unë thashë: – Nuk kam çka të qëroj hesape me askënd, se pushkë për shqiptarë nuk kam, por nëse dikush më del në rrugë do mbrohem! Nga unë kërkonin t’i dorëzoja armët dhe të më burgosnin, sipas një ushtari të Prellofcit (polic ushtarak) ma kishin caktuar edhe «burgun» në një kaçak të pulave. Pastaj i thashë Fehmiut se nuk doja të luftoja me vëllezër, sepse kishte mjaft forca serbe në Skenderaj, policë, ushtarë, paramilitarë etj.

U propozova të shkonim e t’i sulmonim. – Ejani – thashë – me mua kush të doni dhe e bëjmë një trimëri në Skenderaj. Kështu i shkaktojmë një dëm Serbisë po kryhet edhe puna jonë, se shkijet lehtë nuk na lëshojnë. Pra e bëjmë një punë patriotike kundër Serbisë e nuk na shan askush për vëllavrasje! U thashë se: -Nëse një shqiptar i afrohet tankut të shkaut njëqind metra, unë do t’i afrohem pesëdhjetë, e nëse dikush i afrohet pesëdhjetë metra, unë do t’i afrohem njëzet, po nëse dikush i afrohet tankut të shkaut dhjetë metra unë do ia ngjes shkaut për veshi! Kështu edhe kryhet puna me ne! Këtë ua përsërita dy herë. Këtë ia kam thënë edhe Rexhep Selimit edhe Fehmiut më herët në Likoc. Pastaj Sami Lushtaku insistoi dhe u pajtuam.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Next Post

Një pjesë e Kërçovës me pamje mahnitëse (Foto)

Qyteti i Kërçovës dita ditës po ndryshon gjithnjë e për të mire, e kjo falë punës së jashtëzakonshme të kryetarit aktual Fatmir Dehari. Puna e tij e ka bërë Kërçovën një nga qytetet më të bukura dhe më të rregulluara në vend. Të gjithë aktivitetin e tij në qytet dhe […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: