AGJËRIMI MUNDËSI PËR T’I PREKUR HORIZONTET E REFLEKTIMIT

vull

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (183, El Bekare)

Shkruan Afrim Tahiri

Motra e vëllezër, të dashur besimtarë! Ta falënderojmë Zotin Fuqiplotë që, në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë për mbarë njerëzimin, patëm fatin të jemi në prag të Muajit të Bekuar, Muajit të mëshirës, të rahmetit, të shëndetit, të përmbushjes shpirtërore, të spastrimit shpirtëror, të shtimit të ibadeteve, të përkushtimit më të madh ndaj Krijuesit tonë dhe, me të gjitha këto përfitime devotshmërie, të jemi sa më larg të keqes dhe djallëzive. Për një muaj rresht do t’i shijojmë të mirat e Muajit Ramazan, agjërimin.
Agjërimi nuk është vetëm abstenim nga haja, pija e qejfet për një kohë të caktuar ditore. Përtej kësaj, agjërimi mundëson kapjen e të gjitha dimensioneve të së mirës, të së ndershmes, të së moralshmes. Agjërimi është i vetmi çelës që hap horizontet e reflektimit, që mundëson përjetimin e madhështores së përkushtimit ndaj devotshmërisë.
Motra e vëllezër, gjatë Muajit të Ramazanit, Muaj i Bekuar nga Krijuesi i Gjithësisë, të bëjmë përpjekje maksimale që ta arrijmë kënaqësinë e Allahut Mëshirëplotë, duke iu përkushtuar vetëm Atij me ibadetet tona. Le të përpiqemi pa rreshtur dhe le të reflektojmë mbi gabimet tona, mbi lëshimet dhe dështimet tona, mbi zilitë dhe mbrapshtitë tona që i kemi bërë gjatë vitit. Do të trishtohemi, shpirtërisht do të prekemi e ligështohemi, do të zhgënjehemi me veten dhe, gjithësesi që, ky reflektim, do të na japë kurajo, forcë, dëshirë, gjakim të zjarrtë që përulësia jonë duke u penduar para Zotit të na zgjasë përjetësisht.
Të dashur besimtarë, po e përjetojmë kohën e një prej pandemive më të rrezikshme në historinë e njerëzimit. Assesi nuk po na shkon në mend që të inicojmë një lutje gjithënjerezore, t’i lutemi Krijuesit tonë të na shpëtojë nga kjo hata. Kjo lutje do të duhej të kryhet pikërisht ashtu siç na porositë Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., në kohë pandemie as mos t’i afrohemi asaj dhe as mos të bëhemi përçuese e saj. Të rrimë brenda dhe, atë mbylljen tonë ta përmbushim me lutje drejtuar Mëshirëplotit. Muaji i Ramazanit është Muaj i Mëshirës, muaj i lutjeve, ibadeteve e falënderimeve drejtuar Krijuesit tonë që pikërisht në këtë muaj na e zbriti Librin e Fjalës së Parë – LEXO.
“Allahu dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Atë (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni vetëm Atë.” (185, El Bekare)
Motra e vëllezër, të dashur besimtarë, si në asnjë muaj tjetër, gjatë Muajit të Agjërimit, na hapet mendja, e ndjejmë fuqinë e brendshme për ta dalluar dhe për ta ndarë të mirën nga e keqja, të ligën nga e mbara, të shëmtuarën nga e bukura, të devotshmën nga hipokrizia. Ne, veprat tona i bëjmë vetëm për Allah, i cili na mëson: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!” (1, El Munafikun).
Nëse abstenojmë shpirtërisht dhe praktikisht nga tundimet qe na vijnë nga djalli, nëse abstenojmë nga ajo që Zoti na e ka bërë haram, duke e shpëlarë shpirtin me hallall, duke e flakur hipokrizinë si burim të të gjitha të këqiave, duke mos u kursyer se luftuari hipokritët, apo duke e lutur Allahun Fuqiplotë që të na mbajë sa më larg hipokritëve, sapo ta kalojmë Muajin e Agjërimit do të lakmojmë që krejt jetën ta kemi Ramazan dhe Agjërim. Kjo është bukuria dhe madhështia e agjërimit.
Motra e vëllezër – për hajër ky Muaj i Bekuar i Ramazanit. Lutem me shpirt që, bashkarisht, mbarë myslimanët e botës ta kalojmë sa më lehtë e me shëndet të mirë. Ju ftoj në solidaritet e në humanitet, të jemi sa më pranë skamnorëve, të varfërve, të sëmurëve.
Paçi bekimin e të Madhit Zot!

 

Next Post

Dr. Camaj: Brezi i ri, të dijë vështirësinë e ndërtimit të jetës në vend të huaj

Rreth 40 vite më parë Pashko Camaj do të linte atdheun me shumë brenga, mes te tjerash me zhgënjimin e madh që nuk arriti të fitonte studimet për mjekësi në Universitetin  e Prishtinës. Por jeta kishte rezervuar të tjera plane për të, edhe më të mëdha. Në vendin e  mundësive […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: