Historia e Ademit a.s

vull

Thotë Zoti i madhëruar në Kuranin fisnik:”Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.” (Jusuf, 3)
“Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (Kehf, 13)
“Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (Araf, 176)

“Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym. Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë. Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”, Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde, Përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.” Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?” Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”. Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar! Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!Iblisi tha:“Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen. Zoti tha:“Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.” Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.” (Hixhr, 26-43)

Lidhur me pamjen dhe përmasat e Ademit a.s, në një hadith të cilin e transmeton imam Buhariu, Profeti a.s thotë:”Zoti e krijoi Ademin a.s gjashtëdhjetë parakrahë të gjatë. Që nga ajo kohë, përmasat e njeriut kanë ardhur në rënie.”
Përveçse ishte njeriu i parë i krijuar, Ademi a.s është edhe njeriu më i gjatë në të gjithë kohërat. Të gjithë banorët e xhenetit, do të kenë gjatësinë e Ademit a.s.

Në një hadith të transmetuar nga imam Muslimi, thuhet se kur Zoti i dha formë Ademit a.s, nuk e pajisi me shpirt menjëherë. Ai e la për një kohë të konsiderueshme ashtu si statujë. Thotë Profeti a.s:”Kur Zoti e krijoi Ademin, a la në atë gjendje aq sa deshi. Kur e pa Iblisi, filloi t’i sillej rrotull i habitur. Kur dalloi se nga brenda ishte bosh, Iblisi e kuptoi se ishte një krijesë që nuk vetëpërmbahej.”

“Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”. (Hixhr, 29)
“Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” (Al Imran, 59)

Rrëfen Muslim ibnu Jesar, se Umer ibnul Hattabi është pyetur mbi komentin e ajeteve:”Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur. Ose që të mos thoni: “Me të vërtetë, etërit tanë ishin idhujtarë para nesh, kështu që edhe ne jemi pasardhësit e tyre. A mos vallë do të na shkatërrosh për veprat e atyre që ndoqën mashtrimin?” (Araf, 172-173)

“Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Bekare, 31)

Veç kësaj, u tregoi se Ademi a.s ishte edhe më i ditur, pasi dinte emrat e gjithçkaje, cilësi të cilën nuk e kishin melekët.
“O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” (Bekare, 33) Menjëherë Ademi a.s filloi të rendisë emrat e gjithçkaje.
“Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha:“A nuk ju kam thënë se vetëm
Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!” (Bekare, 33)

Ajo që melekët mbajtën të fshehtë është thënia e tyre:”Le të krijojë Zoti ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e nderuar dhe më e ditur se ne.”

Siç e shihni, sa më shumë të zhytemi në detajet e historive, aq më shumë lehtësohet të kuptuarit e Kuranit famëlartë. Duke shtjelluar shkaqet e shpalljes së ajeteve, na kthjellohen shumë gjëra që i kishim të mjegullta më parë.

 

Krijimi i gruas, Havasë a.s

Pasi përfundoi plotësisht krijimi i Ademit a.s, Zoti krijoi bashkëshorten e tij Havanë a.s. Havaja nuk u krijua menjëherë pas Ademit a.s. Ademi a.s jetoi një periudhë kohe krejtësisht i vetëm në xhenet, gjë e cila e bëri të ndihej i vetmuar dhe i mërzitur.

Një ditë, ndërkohë që Ademi a.s ishte duke fjetuar, Zoti krijon Havanë, nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit a.s. Me anë të kësaj brinje, Zoti krijoi gruan e parë, Havanë a.s. Thotë Zoti i lartësuar mbi këtë fakt:“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij.” (Nisa, 1)

Kur Ademit a.s i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij. Ai e pyeti menjëherë:”Kush je ti?” Ajo u përgjigj:”Jam një grua.” Ademi a.s e pyeti:”Përse je krijuar?” Havaja u prëgjigj:”Që të gjesh prehje tek unë.”

Melekët, kur e panë që Zoti kishte krijuar një krijesë tjetër të ngjashme me Ademin a.s, menduan ta vënë në provë Ademin a.s. Meqë ai dinte emrat e gjithçkaje, melekët e pyetën mbi emrin e Havasë. Kështu, i thanë:”Si e quajnë atë?” Ademi a.s u përgjigj:”E quajnë Hava.” Gjë të cilën ia kishte mësuar Zoti.

Melekët, e pyetën sërish:”Po përse ka marrë këtë emër?” Ademi a.s u përgjigj:”Sepse është krijuar nga diçka e gjallë.”

Imam Muslimi transmeton nga Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë drejt ose të heshtë. U porosis të silleni mirë me gratë, pasi gruaja është krijuar nga një brinjë e lakuar dhe pjesa më e lakuar e brinjës është maja e saj. Nëse do tentosh ta drejtosh, do e thyesh. Nëse e lë ashtu siç është, do të vazhdojë e lakuar.”

Natyra e gruas është e tillë që shpesh herë udhëhiqet nga ndjenjat dhe jo arsyeja. Nëse ti rrekesh t’i ndryshosh sjelljet, të cilat burojnë nga bota emocionale e  pasur e saj, ti po tenton të ndryshosh vetë natyrën e saj, gjë e cila është e pamundur. Me gruan duhet të sillesh me të butë dhe dashamirësi, jo me dhunë dhe imponim.

Në shumë hadithe të sakta, thuhet se gruaja e Ibrahimit a.s, Sara, ishte femra më e bukur në botë, por pas Havasë, gruas së Ademit a.s. Sipas këtyre haditheve, Havaja ka qenë femra më e bukur e krijuar ndonjëherë në tokë.

 

Vesveset e shejtanit

Ademi a.s dhe gruaja e tij Havaja, jetonin në xhenet, sipas urdhrit të Zotit. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:“Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”. (Bekare, 35)

Në xhenet, Ademi a.s dhe Havaja a.s kishin të siguruar gjithçka, pa lodhje dhe pa mundim.

Që në fillim, Zoti i tregoi Ademit a.s mbi shejtanin, të cilin e etiketoi si armik të Ademit a.s. Kjo ishte që para se shejtani të fillojë me vesveset e tij.

“Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! “ Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.”  (Merjem, 117)

Pra, ato që na thuhen se njeriu i parë ishte i pambuluar dhe më vonë filloi të mbulohet nuk është aspak e vërtetë. Zoti i kishte veshur njerëzit e parë që në xhenet, ashtu siç i mëson si të vishen pasi do të vendosen në tokë.

“O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim. por, petku i devotshmërisë është më i miri.” (Araf, 26)

Ademi a.s dhe e shoqja nuk e njihnin lakuriqësinë që kur u krijuan.

Ibnu Xheriri dhe shumë të tjerë, transmetojnë se Ebu Musa El-eshari ka thënë:”Kur Zoti e zbriti Ademin a.s nga xheneti në tokë, i mësoi të gjithë zanatet.”

Kur Ademi a.s zbriti dhe u vendos në tokë, ishte i ditur, i veshur me rroba dhe njohës i të gjithë zanateve themeltare. Ajo që na mësohet se njerëzit e parë jetonin pa rroba mbi trup, nuk është e saktë. Fiset afrikane dhe të disa vendeve të tjerë që bëjnë një jetë primitive, duke mos mbajtur rroba mbi trup, kanë devijuar nga natyra e pastër me të cilën i krijoi Zoti fillimisht

Në xhenet, Ademi dhe Havaja a.s, nuk do të ndjenin as etje dhe as vapë. Ata do të jetonin në kushte jetese luksi, pa u lodhur dhe pa u mundur.

 

Vesveset dhe tundimet e shejtanit

Vesveset dhe tundimet e shejtanit, Zoti i përmend në disa ajete. Shejtani nuk banonte në xhenet, por u lejua nga Zoti, që të hyjë dhe ta tundojë Ademin a.s.

Shejtani filloi t’i joshë dhe t’i tundojë që të hanin nga pema që Zoti ua kishte ndaluar.

“Ndërsa Ademit i tha: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!” (Araf, 19)

Ai u thoshte se pema që u ka ndaluar Zoti, është pema e përjetësisë dhe e pushtetit. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:

“Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” (Araf, 20)

Qëllimi i shejtanit ishte që t’i çojë drejt gjynahit dhe thyerjes së urdhrit të Zotit, si dhe t’u zbulojë pjesët e turpshme të cilat gjer atëherë i kishin të mbuluara.

Veç joshjes dhe tundimit për pushtet dhe përjetësi, shejtani filloi edhe t’u  betohej se po u tregonte të vërtetën.

“Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij.” (Araf, 21-22)

E çfarë mund të ëndërronte më shumë se të jetojë në xhenet Ademi a.s?! A nuk kishte gjithçka që dëshironte?! A nuk jetonte në luks dhe i rrethuar nga të mirat?! Përse lakmoi edhe diçka të cilën ia kishte ndaluar Zoti?!

Në çastin kur ata hëngrën nga pema e ndaluar dhe thyen urdhrin e Zotit, u zhduken rrobat që kishin veshur dhe befasisht u shfaqën lakuriqë.

“Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme” (Araf, 23)

Me t’u ndodhur kjo, si Ademit a.s dhe Havasë a.s u erdhi turp. Natyra e njeriut e urren lakuriqësinë dhe nuk ndihet rehat. Kur panë se rrobat që i mbulonin u zhdukën, si Ademi a.s dhe Havaja a.s, filluan të mbulohen me gjethe pemësh të xhenetit. “dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit” (Araf, 23)

Ademi a.s nuk e përmbajti veten nga ajo që i ndodhi dhe mori arratinë, duke vrapuar ku të mundej në xhenet. Në një hadith, thuhet se kur Ademi a.s filloi të vrapojë, Zoti e thirri:”O Adem! A po arratisesh nga Unë?!” Ademi a.s i përgjigjet:”Jo o Zot! Por më erdhi zor  prej Teje.”

E para që hëngri nga pema ishte Havaja a.s dhe ishte ajo që e nxiti Ademin a.s që edhe ai t’i bashkohej në këtë vepër. Kjo përmendet në një hadith të saktë, të transmetuar nga imam Buhari, sipas të cilit, Profeti a.s thotë:”Nëse nuk do të ishte Havaja, asnjë femër nuk do e tradhtonte burrin e saj.”

Nëse nuk do të ishte Havaja, Ademi a.s nuk do kishte ngrënë nga pema e ndaluar.

Pasi kishin ngrënë nga pema e ndaluar, Zoti u flet Ademit a.s dhe Havasë a.s:

“..dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” (Araf, 22)

Vallë si do të reagonte Ademi a.s dhe Havaja? Mos do të silleshin si shejtani, duke këmbëngulur në kryeneçësinë e tyre? Jo. Ata nuk do të reagojnë si shejtani, por do të pranojnë gjynahun që kanë bërë, me fjalët:“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 23)

Si iblisi ashtu dhe Ademi a.s e thyen urdhrin e Zotit, por dallimi qëndron se Ademi a.s u pendua dhe kërkoi falje, kurse iblisi vazhdoi me arrogancën e tij. Dijetarët myslimanë thonë:”Nuk ka gjynahe të rënda nëse pasohen nga istigfari, por as gjynahe të vogla nëse pasojnë njëri-tjetrin.”

 

Vendosja në tokë

Edhe pse ishin kokëulur dhe të penduar për atë që kishin bërë, duhej patjetër një qëndrim. Si ishte e mundur që para një sprove kaq të lehtë, të dorëzoheni dhe t’i shkoni pas pasioneve dhe tundimeve tuaja?!

“Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar. Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni.” (Araf, 24-25)

Në ajete të tjera, Zoti e përshkruan këtë moment me fjalët:

“Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur. Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, të gjithë u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk pranoi. Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë). Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi dhe tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Taha, 115-124)

Kështu zbriti Ademi a.s në tokë, si pasojë e thyerjes së urdhrit të Zotit. Pasi u pa se Ademi a.s ishte penduar mbi atë që kishte bërë, Zoti i mësoi disa fjalë, si shenjë pendimi. “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.

Këto fjalë, Zoti i përmend në Kuran ku thotë:”

“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 22)

Bashkë me Ademin dhe Havanë, në tokë zbriti dhe iblisi. Dijetarët kanë mendime të ndryshme mbi territorin ku u vendosën fillimisht, por mendimi më i arsyeshëm është ai i Ibnu Abasit, që thotë:”Ademi a.s u vendos në Indi, kurse Havaja në Xhidda (Arabia Saudite). Ademi u vu në kërkim të saj, derisa u takuan të dy në Arafat. Prej këtu, ky vend e mori emrin Arafat (njohja).”

 

Fëmijët e Ademit a.s

Në një transmetim, thuhet se Ademi a.s jetoi një mijë vite. Sipas disa rrëfenjave izraelite, Ademi a.s arriti të shohë katërqind mijë nga pasardhësit e tij. Gjithsesi, këto janë gjëra që, sipas porosisë së Profetit a.s, as nuk i besojmë dhe as nuk i përgënjeshtrojmë. Ne i besojmë asaj që pohon Kurani famëlartë ku thotë:“kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (Nisa, 1)

Që atëherë filloi njerëzimi të shtohej. Havaja lindi shumë fëmijë. Taberiu thotë se Havaja lindi dyzet fëmijë, në njëzet shtatzani. Në çdo lindje, Havaja lindte dy binjakë, një djalë dhe një vajzë. Fëmija i parë ishte Kabili, motra e të cilit ishte Sulejm. Fëmija i fundit ishte Abdul Mugith, kurse motra e tij binjake Umul Mugith.

Njerëzimi filloi të shtohej dhe profeti i tyre ishte Ademi a.s, i cili u mësonte ligjet dhe normat e fesë. Asokohe të gjithë ishin monoteistë dhe nuk njihej idhujtaria.

Ibnu Hiban transmeton një hadith, se Ebu Dheri e ka pyetur Profetin a.s:”Kush ka qenë i dërguari i parë i Zotit?” Profeti a.s i është përgjigjur:”Ka qenë Ademi.” Ebu Dheri e pyeti:”Ka qenë profet i dërguar?” Profeti a.s iu përgjigj:“Po.”

Ademi a.s ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Ai ishte krijuar nga vetë Zoti me duart e Tij fisnike dhe i kishte fryrë nga shpirti i Tij. Ademit a.s i foli Zoti i lartësuar direkt, pa ndërmjetës, siç ka bërë me profetët e tjerë.

 

Kabili dhe Habili

Ata janë dy djem të Ademit a.s. Kabili ishte njeri i vrazhdë dhe i ashpër në karakter. Ndërkohë që Habili ishte zemërmirë dhe i butë. Kabili merrej me bujqësi, kurse Habili merrej me bagëti. Profesioni i Habilit shtron nevojën për dhembshuri dhe dashuri karshi kafshëve dhe bagëtive. Duke qenë se nuk janë të arsyeshme, ato kanë nevojë për përkujdesje, ushqim dhe ujë.

Asokohe, njerëzimi kishte nevojë për një kod familjar, sidomos lidhur me shtimin e njerëzimit, duke ditur se ata ishin vëllezër dhe motra të njëri-tjetrit. Kështu, ligji ishte i tillë, që djemtë e Ademit a.s mund të martoheshin me këdo nga motrat, përveç binjakes. Nga ky ligj nuk bënte përjashtim as Kabili dhe as Habili. Sipas transmetimeve, thuhet se binjakja e Kabilit, ishte më e bukur se binjakja e Habilit. Kabili dëshironte që ai të martohej me binjaken, por kjo ishte e ndaluar sipas ligjeve të asaj kohe. Duke qenë se Ademi a.s ishte profet dhe i dërguar, kishte dhe legjislacionin e tij.

Një ligj tjetër, ishte dhe ai i kurbaneve, flijimeve të bagëtisë. Shenja që Zoti e ka pranuar kurbanin e dikujt, ishte që të zbriste një zjarr nga qielli dhe ta digjte. Kurbani që nuk digjej nga zjarri, ishte i refuzuar nga Zoti.

Kur deshi Habili të ofrojë një kurban, zgjodhi kafshën më të mirë dhe e theri. Kurse Kabili ofroi një sasi drithërash të prishur. Një ditë më vonë, dy vëllezërit panë se kurbani i Habilit ishte pranuar nga Zoti, e kishte djegur zjarri. Kurse kurbanin e Kabilit e kishte refuzuar, nuk ishte djegur. Kjo ia shtoi urrejtjen dhe xhelozinë Kabilit për të vëllain. Në këtë çast, ndërhyn dhe shejtani i cili e nxit Kabilin të vrasë vëllain e tij. Vrasja ishte një risi e re për jetën e njeriut mbi tokë, ishte krimi i parë që po ndodhte në histori. I vendosur, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili dhe i tregoi se dëshironte ta vrasë. Habili, nga ana e tij i tha se nuk do të reagonte duke tentuar ta vrasë. Ai i tha se nga kjo vepër nuk do të fitojë asgjë përveç gjynahut dhe ndëshkimit.

Në një natë të errët dhe të zezë, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili i cili ishte duke fjetur dhe me një gur të madh, e vrau duke e goditur në kokë. Ishte krimi i parë në historinë njerëzore.

Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të veprojë me kufomën. Ishte hera e parë që dikush vdiste nga njerëzit dhe nuk dinin si të sillen me të vdekurit. Mandej, Kabili e mbajti në krahë kufomën e të vëllait dhe e transportoi në një vend tjetër. Atje, Zoti dërgoi dy sorra para Kabilit. Dy sorrat filluan të ziheshin me njëra-tjetrën, derisa njëra mbeti e ngordhur në vend. Sorra triumfuese, filloi të hapë një gropë me këmbët e saj. Pastaj e shtyu sorrën e ngordhur drejt gropës dhe e mbuloi me dhe.

Nga kjo ngjarje, mësoi Kabili se çfarë duhet të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai hapi një gropë menjëherë, e hodhi të vëllain brenda dhe e mbuloi me dhe.

Më vonë, Kabili pendohet për atë që kishte vepruar, por nuk bëri istigfar (nuk kërkoi falje). Një ndër kushtet e pendimit (teubes) është që të shoqërohet me kërkim falje (istigfar). Nuk është e mjaftueshme që pas një krimi dhe gjynahu, të pendohesh dhe të ndihesh keq. Kjo duhet të shoqërohet me kërkim falje nga Zoti i lartësuar.

Këtë ndodhi Zoti e ka regjistruar në Kuranin famëlartë, ku thotë:“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” (Maide, 27-31)

Transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhij etj…, se Sad ibnu Ebi Vekas ka thënë gjatë trazirave në kohën e Othman ibnu Affanit:”Dëshmoj se i dërguari i Allahut ka thënë:”Do të ndodhin trazira (fitne). Ai që qëndron ulur në atë kohë, do të jetë më i mirë se ai që qëndron në këmbë.”

Unë e pyeta:”Po nëse unë qëndroj i mbyllur në shtëpi dhe dikush hyn brenda dhe me shpatë në dorë tenton të më vrasë, çfarë duhet të bëj?”

Profeti a.s u përgjigj:“Bëhu si djali më i mirë i Ademit a.s.” Kurse në një transmetim tjetër, Profeti a.s thotë:”Bëhu biri i vrarë i Ademit dhe mos u bëj biri vrasës.”

Në një hadith tjetër të transmetuar nga imam Ahmedi, profeti Muhamed a.s thotë:”Çdo njeri që vritet padrejtësisht, një pjesë e gjynahut i shkon dhe djalit të Ademit, pasi ai është njeriu i parë që e shpiku vrasjen.”

Me vrasjen e të vëllait, Kabili shpiku një risi dhe krim që nuk ishte dëgjuar gjer atëherë. Për këtë, Zoti e ndëshkoi duke i dhënë pjesë të gjynahut të çdo të vrari padrejtësisht gjer Ditën e Kiametit.

Thotë Profeti a.s:”Kush shpik një vepër të ligë, ai do të ketë gjynahun e tij dhe gjynahun e atyre që do e veprojnë pas tij, deri në Ditën e Kiametit.”

 

Arratisja e Kabilit

Pasi vrau vëllanë e tij, Kabili morri arratinë, duke mos dashur t’i dalë para babait të tyre, Ademit a.s. Bashkë me gruan e tij, ai u vendos në fusha, ndërkohë që fëmijët e tjerë dhe prindërit jetonin rrrëzë maleve. 

Fëmijët dhe pasardhësit e Kabilit u shtuan, por në mungesë të mësuesit shpirtëror, mes tyre filloi të përhapej degjenerimi moral. Kjo, edhe pse adhuronin një Zot të vetëm. Që atëherë, njerëzit u ndanë në dy kategori: Të mirët, që jetonin me Ademin a.s dhe të ligët, që jetonin me Kabilin.

 

Vdekja e Ademit a.s

Ademi a.s jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë vite.

Në fakt, ai kishte për të jetuar njëmijë vite, por dyzet vite iu hoqën me dëshirën e tij. Kjo transmetohet në shumë hadithe të transmetuara nga imam Tirmidhiu dhe shumë të tjerë. Sipas Ebu Hurejres, i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kur Zoti krijoi Ademin, e fshiu kurrizin e tij, prej ku dolën të gjithë pasardhësit e Ademit që do të vinin në jetë gjer Ditën e Kiametit. Mes dy syve të çdo njeriu, gjendej një dritë. Kur Zoti ia tregoi Ademit, ky e pyeti:”O Zoti im! Kush janë këta?!”  Zoti iu përgjigj:”Këta janë pasardhësit e tu.” Ademi a.s sheh një  burrë nga pasardhësit e tij, tek i cili i pëlqeu drita mes syve. I habitur, ai e pyeti Zoti:”O Zoti im! Kush është ky?” Zoti iu përgjigj:”Ky është një burrë nga gjeneratat e fundit të pasardhësve të tu. Emri i tij është Daud.” Ademi a.s e pyeti:”O Zoti im! Sa jetë i ke dhënë këtij personi?” Zoti u përgjigj:”Gjashtëdhjetë vite.” Ademi a.s i tha:”O Zoti im! Merri gjashtëdhjetë vite nga jeta ime dhe jepja atij!” dhe Zoti ia plotësoi këtë dëshirë. Kur Ademi a.s mbushi nëntëqind e gjashtëdhjetë vjeç, i erdhi meleku i vdekjes. Duke e ditur se jeta e tij ishte një mijë vjet, ai e pyeti melekun e vdekjes:”A nuk më kanë mbetur edhe dyzet vite të tjera nga jeta?!” Meleku i tha:”A nuk ia ke dhënë djalit tënd Daudit?!” Për shkak se Ademi a.s nuk e mbajti premtimin, nuk e mbajnë premtimin dhe pasardhësit e tij. Për shkak se Ademi harroi, harrojnë dhe pasardhësit e tij. Për shkak se Ademi a.s gaboi, gabojnë dhe pasardhësit e tij.”

 

Vdekja e Ademit a.s

Nga djemtë e Ademit a.s ishte dhe Shith, i cili kishte lindur pas vdekjes së Habilit. Shith, do të thotë “dhuratë e Zotit”.

Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Zoti ka shpallur njëqind e katër fletë. Vetëm Shith-it, Zoti i ka shpallur pesëdhjetë fletë.”

Këto fletë përmbanin ligje dhe norma, për të disiplinuar jetën e njerëzve. Ademi a.s ia mësoi djalit të tij Shithit, shumicën e njohurive dhe dijeve që i kishte mësuar Zoti. Përveç dijeve dhe shkencave fetare, Shithi u mësonte njerëzve dhe zanatet e ndryshme, përllogaritjet e ditës dhe natës dhe kur duhej adhuruar Zoti i lartësuar.

Transmeton imam Ahmedi, se Xhumretu Sadij ka thënë:”Pashë një të moshuar në Medine duke folur. Kur pyeta kush ishte, më thanë se ishte Ubej ibnu Kab (një nga më të diturit e sahabëve rreth shkencave të Kuranit dhe tefsirit). Ndër të tjera, ai tha:”Kur Ademit a.s iu afrua vdekja, u tha fëmijëve:”Më ka marrë malli për fruta xheneti.”

Frutat e xhenetit janë të ngjashme në formë me ato të kësaj bote. Kështu, në xhenet ka molla, dardha etj… Ajo që i dallon, është se frutat e xhenetit nuk kalben, ndërkohë që ato të kësaj bote kalben. Frutet e kësaj bote kanë shije të zakonshme, ndërkohë që frutet e xhenetit kanë shije të pazakontë. Ademi a.s dëshironte të hajë fruta të ngjashme me ato të xhenetit.

Thotë Ubej ibnu Kab:”Fëmijët e Ademit a.s vajtën të kërkojnë fruta dhe në rrugë u takuan me melekët (në formë njerëzish), që mbanin në duar qefinë dhe materiale të tjera për përgatitjen e të vdekurit. Melekët u thanë:”O bijtë e Ademit! Çfarë po kërkoni?”

Ata u përgjigjën:”Babai ynë është sëmurë dhe na kërkoi fruta xheneti.” Melekët u thanë:”Kthehuni, se babait tuaj i ka ardhur momenti i vdekjes.”

Me t’i dalluar Havaja, i njohu dhe lajmëroi Ademin a.s menjëherë. Ademi a.s i tha:”Largohu prej meje, pasi e keqja më erdhi prej teje. Më lër me melekët e Zotit tim të lartësuar.”

Kështu, melekët e vdekjes ia morën shpirtin, e lanë, e veshën me qefinë, e lyen me parfum, i hapën varrin, i falën xhenazen dhe e mbuluan. Pra, ishin melekët ata që e përgatitën xhenazen e Ademit a.s dhe e varrosën së fundmi.

Pasi e varrosën, melekët u thanë fëmijëve të Ademit a.s:”O bij të Ademit! Kështu duhet të veproni me të vdekurit tuaj.”

Ademi a.s e kishte kaluar jetën në bindje dhe konform ligjeve të Zotit. Hera e parë që i kishte thyer ligjet e Zotit ishte kur hëngri nga pema e ndaluar në xhenet. Përgjatë nëntëqind e pesëdhjetë viteve jetë mbi tokë, ai nuk veproi gjynahe.

Një vit pas vdekjes së Ademit a.s, ndërroi jetë dhe gruaja e tij Havaja a.s.

 

Shthurja morale

Pas vdekjes së Ademit a.s, ishte djali i tij Shithi, ai që i trashëgoi dijet, profecinë dhe pushtetin. Ai gjykonte me drejtësi mes njerëzve, edhe pse kishin filluar të shfaqen shenjat e para të korruptimit dhe degjenerimit mes popullit të Kabilit në fusha. Mes tyre ishin përhapur dhe krime të tilla si vrasja. Ata vrisnin njëri-tjetrin, por edhe njerëz që zbrisnin nga mali, nga pasardhësit e tjerë të Ademit a.s.

Një fakt i tillë transmetohet nga Abdullah ibnu Abasi, i cili pasi lexoi ajetin:”mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” (Ahzab, 33), tha:”Fëmijët e Ademit a.s ishin ndarë në dy barqe: Ata që jetonin në mal dhe ata që jetonin në fushë. Burrat që jetonin në mal, ishin të hijshëm dhe të pashëm, ndërkohë që gratë e tyre nuk ishin të tilla. Gratë e atyre që jetonin në fusha ishin të bukura, kurse burrat e tyre të shëmtuar. Shejtani i vajti një burri nga barku i Kabilit, në formën e një djaloshi dhe i kërkoi të shërbejë tek ai si çirak. Ky djalosh, që në fakt ishte shejtani, filloi t’ju mësojë si të luajnë në vegla muzikore. Ai kishte shpikur një mjet muzike si fyell dhe me të i kishte bërë njerëzit për vete. Zëri i fyellit kishte filluar të dëgjohej dhe tek ata që banonin në mal, gjë që kishte tërhequr dhe vëmendjen e kureshtjen e tyre. Veç kësaj, njerëzit e Kabilit kishin caktuar një ditë feste një herë në vit. Atë ditë, ata grumbulloheshin dhe festonin së bashku. Një pjesë e rëndësishme e kësaj feste, ishte se gratë e tyre ekspozoheshin të zhveshura dhe me veshje tunduese para burrave. Ky lajm kishte arritur dhe në mal, ku disa burra nuk i kishin rezistuar këtij tundimi dhe shkonin për të parë gratë gjatë festës. Një ndër ligjet e Shithit, ishte se u ishte ndaluar të gjithë banorëve të malit të takoheshin dhe të kontaktonin me burrat ose gratë nga barku i Kabilit. Një nga burrat e malit, zbret poshtë në fushë gjatë festës dhe hyn mes popullit të Kabilit, ku mbetet gojëhapur nga bukuria e grave të tyre. Ai kthehet në mal dhe u tregon burrave të tjerë mbi atë që i kishin parë sytë. Një pjesë e mirë e burrave nuk i rezistojnë dot këtij tundimi dhe zbresin në fushë që edhe ata të shohin bukurinë e grave të fushës. Kështu filloi të përhapej degjenerimi dhe shthurja edhe mes tyre. Në këtë ngjarje e ka zanafillën e saj shthurja morale dhe marrëdhëniet jashtëmartesore. Ky është komenti i ajetit që lart përmendëm:“mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” (Ahzab, 33)

Shithi, si profet dhe sovran, bëri ç’ishte e mundur që ta ndalojë këtë shthurje dhe degjenerim moral që ishte përhapur. Popullsia në fushë, barku i Kabilit, kishte filluar të rritej, ndërkohë ato në mal ishin reduktuar ndjeshëm.

 

Përshtati: Elmaz Fida

Next Post

Jansha udhëheq vendet e BE që duan "Serbinë e Madhe" dhe copëtimin e BEH, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore

Skena politike e Bosnje dhe Herzegovinës tronditet nga një dramë e drejtuar nga udhëheqja e Republikës së Sllovenisë, e cila ka një vizion për “kompletimin e shpërbërjes së Jugosllavisë”, pra ndryshimin e kufijve të Ballkanit. Sllovenia do të marrë presidencën e Bashkimit Evropian në 1 korrik dhe kryeministri slloven Janez […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: