Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

SONTE ËSHTË NATA E MADHE E BERATIT

2 min read
“Ha-mim . Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)! Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar “ (Ed- Duhanë , 1-3)
Kjo është natë e bekuar dhe e madhe ngase, sipas disa komentatorëve të Kur’anit, në këtë natë Kur’ani fisnik ka zbritur në formë të plotë nga qielli i shtatë në të parin, pra në qiellin e dynjasë, kurse në natën e Kadrit ka filluar t’i shpallet Pejgamberit a.s. në mënyrë graduale brenda 23 viteve. Por, gjithashtu është nata kur me dijen dhe gjykimin e All-llahut xh.sh. përcaktohen të gjitha çështjet për tërë vitin e ardhshëm.
Kjo është nata kur pranohen lutjet dhe pendimet, dhe kur shpërblimet janë të mëdha e të shumta.
Muhamedi s.a.v.s lidhur me madhështinë e kësaj nate ka thënë: “Kur të vijë nata e 15 e muajit Shaban, kalojeni me lutje dhe adhurim Zotit, kurse ditën e 15 kaloni me agjërim! Sepse atë natë Zoti me mëshirën e Tij i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë:
A ka kush pendohet sonte dhe Unë ta fali?
A ka kush kërkon rizk (furnizim e fat) sonte dhe Unë t’i jap?
A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim e Unë t’i jap shëndet?
A ka kush kërkon diçka tjetër sonte e Unë t’i jap?
Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme”, ( Trans. Ibni Maxhe).
Nata e Beratit paralajmëron ardhjen e shpejtë të Muajit Ramazan, muajit më të dashur, më të begatë dhe më të dobishëm për besimtarët. Është muaji që muslimanët e presin me padurim.