“Roli i Presidentit Udrow Uilson, personaliteti që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi”

vull

Pas Luftës së Parë Botërore Shqipërisë i kanosej rreziku i copëtimit të tokave të saja dhe zhdukje si shtet nga harta gjeografike. Shqipëria e kishte njohur një rrezik të tillë dy herë më parë: së pari në Kongresin e Berlinit (13 qershor – 13 Korrik 1878) që kishte shkëputur pjesë të tëra nga trungu i saj, dhe së dyti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912 – 29 korrik 1913) që kishte lënë jashtë kufijve të shtetit të porsakrijuar shqiptar gjysmën e trojeve të tij. Për herë të tretë ky rrezik vinte me Traktatin e Fshehtë të Londrës 26 prill 1915, i cili parashikonte copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, madje edhe zhdukjen e saj nga harta politike si shtet më vete.

 

Prof. Dr. NEBI DERVISHI

 

 

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u shndërrua në shesh lufte ndërmjet fuqive ndërluftuese, kurse territori i saj u bë objekt për përmbushjen e planeve të tyre ushtarake dhe politikë. Antanta (Anglia, Franca e Rusia cariste) kërkonte të shpërblente me tokat shqiptare aleatët e saj, në mënyrë që ato të realizonin synimet që kishin në Shqipëri. Konkretizimi i kësaj politike ishte dhe Traktatit i Fshehtë i Londrës nënshkruar ndërmjet Italisë dhe Antantës më 26 prill 1915, i cili parashikonte një copëtim tjetër më të rëndë të Shqipërisë në favor të shteteve fqinje, Serbisë, Greqisë dhe Italisë.

Pas Luftës së Parë Botërore Shqipërisë i kanosej rreziku i copëtimit të tokave të saja dhe zhdukje si shtet nga harta gjeografike. Shqipëria e kishte njohur një rrezik të tillë dy herë më parë: së pari në Kongresin e Berlinit (13 qershor – 13 Korrik 1878) që kishte shkëputur pjesë të tëra nga trungu i saj, dhe së dyti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912 – 29 korrik 1913) që kishte lënë jashtë kufijve të shtetit të porsakrijuar shqiptar gjysmën e trojeve të tij. Për herë të tretë ky rrezik vinte me Traktatin e Fshehtë të Londrës 26 prill 1915, i cili parashikonte copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, madje edhe zhdukjen e saj nga harta politike si shtet më vete.

Përmbajtja e Traktatit famëkeq të Londrës do të vihej në zbatim nga Konferenca e paqes në Versajë e vitit 1919. E thirrur për pazarllëqet imperialiste të mbarimit të luftës, Konferenca e Parisit e lëvizte me lehtësi gërshërën e vet mbi hartën e trojeve shqiptare. Përball këtij rreziku populli shqiptar u ngrit menjëherë në këmbë. Shkëlqen bashkimi i tij kombëtar edhe me këtë rast, me tërë forcën e heroizmit, të vitalitetit dhe të vendosmërisë që e ka karakterizuar në shekuj, e sidomos në prova të tilla, të rënda, para të cilave e ka vënë shpesh historia si rrallë ndonjë popull tjetër. Shprehje e gjallë e vrullit patriotik e luftarak të popullit shqiptar ishte thirrja e Kongresit të Lushnjës në janar 1920, dhe më pas Lufta e Vlorës në qershor të po atij viti.

Më 18 janar 1919 u hap zyrtarisht Konferenca e Paqes së Versajës, e organizuar nga të pesë Fuqitë e Mëdha fituese të luftës: Anglia, Franca, Italia, SHBA dhe Japonia. Si zakonisht në raste të tilla, fituesit do të diktonin të mundurve kushtet e paqes. Në këtë Luftë Shqipëria nuk kishte qenë palë në asnjërin krah, as me fituesit, as me të munduarit. Megjithatë ajo ndodhej e pushtuar nga forcat ushtarake të disa fuqive fituese, të cilat synonin të dhunonin pavarësinë dhe të cenonin tërësinë e saj tokësore. Ndërkohë, përfaqësuesit shqiptarë do t’i kërkonin Konferencës rishikimin e padrejtësive të së kaluarës, me shpresë se mund të respektohej parimi i vetëvendosjes. Këto shpresa mbështeteshin sidomos në pjesëmarrjen në Konferencë të përfaqësuesve amerikanë, me presidentin U.Uillson në krye.[1]

Viteve të fundit historiografia shqiptare i ka kushtuar vëmendje të veçantë rolit dhe kontributit të diplomacisë amerikane në mbështetje të çështjes shqiptare gjatë shek. XX qoftë me punime të thelluara si Akademik Arben Puto, prof. Dr. Masar Kodra, Paskal Milo, ashtu edhe në punimet e studiuesve të tjerë si të Vebi Xhemailit, Halim Purellkut, Nebi Dervishit, etj.

SHBA nuk ishin nënshkruese të traktateve të fshehta dhe ishin shprehur hapur se paqja do të vendosej jo mbi bazën e traktateve të tilla, por duke respektuar parime të drejta. Përveç kësaj, SHBA formuloi atëherë edhe qëndrimin e vet për rregullimin e pasluftës duke theksuar se “do të mbanin pozicionin e arbitrit dhe do të vepronin sipas traditës amerikane të drejtësisë dhe të zemërgjerësisë”. Presidenti amerikan U. Uillson e përvijoi idenë e tij në 14 pikat e janarit të vitit 1918 që patën një jehonë të madhe dhe ngjallën shumë shpresa sidomos të popujt e vegjël në Evropë, duke përfshirë edhe popullin shqiptar. Pika qendrore e programit të tij ishte goditja diplomacisë së fshehtë. Në Konferencën e Paqes të Parisit të vitit 1919, ai e zhvilloi aksionin e tij duke denoncuar rreptë ekzemplarin më të përsosur të marrëveshjeve prapa kulisave.

Çështja do të merrte një dimension të ri me akordin e 14 janarit të vitit 1920 të lidhur midis kryeministrave Nitti (Itali) Lloyd George  (Britani e Madhe) dhe Clemenceau (Francë).

Në këtë marrëveshje nuk mori pjesë përfaqësuesi amerikan Pol. Qëllimi kryesor i marrëveshjes ishte që në rregullimin e “Çështjes së Adriatikut” të merrte pjesë edhe Mbretëria S.K.S (Jugosllave). Në të vërtetë, Beogradi ndiqte me shqetësim forcimin e pozitave të Italisë në Shqipëri. Megjithë sigurimet e Romës se në politikën e saj: ajo nuk ishte inspiruar asnjëherë nga projekte agresioni kundrejt popullsive sllave”, Beogradi e shikonte praninë ushtarake të Itlisë në Shqipëri si një rrezik potencial kundrejt kufirit të tij në Jug. Nga shqetësimet në verën e vitit 1919, Qeveria Jugosllave pati kaluar në veprime konkrete, duke zgjeruar zonën e vet të pushtimit në krahinat verilindore, si një sfidë kundër planeve italiane.

Kishte pra, një rivalitet italo – jugosllav në Shqipëri, ashtu si- kishte edhe rivalitet midis Italisë dhe Greqisë. Dhe në fakt marrëveshja e 13-14 janarit 1920 përqendrohej në problemet që ndanin Romën dhe Beogradin. Bëhej fjalë për Fiumen (Rjekën) dhe Zarën të cilat shpalleshin si shtete të pavarura nën mbykëqyrjen dhe garancinë e Lidhjes së Kombeve dhe ky ishte kompromisi që propozohej për Adriatikun verior. Por, thelbi ishte ndarja e Shqipërisë sipas Traktatit të Londrës (prill 1915). Dispozitat e këtij traktati ripohoheshin gati plotësisht. Italia do të merrte nga Lidhja e Kombeve mandatin mbi Shqipërinë, pjesa veriore e saj i kalonte Mbretërisë S.K.S (Jugosllave), duke përfshirë Shkodrën, Shëngjinin dhe Luginën e Drinit, ndërsa Jugun me Korçën dhe Gjirokastrën i jepeshin Greqisë.

Me akordin e 13-14 janarit të vitit 1920, çështja shqiptare vulosej në kuptimin më negativ: territori i 1913-tës ndahej midis shteteve fqinje dhe Shqipëria humbiste pavarësinë. Por, marrëveshja pati po atë përfundim sikurse Traktati i Fshehtë i Londrës, për pavlefshmërinë e të cilës u diskutua gjatë në Konferencën e Versajës[2]

Çështja njeh zhvillime të reja në planin diplomatik. Në gjysmën e dytë të janarit marrëdhëniet midis Presidentit Vilson dhe kryeministrave të Francës dhe Britanisë së Madhe kalojnë moment tensioni dhe krize. Ndryshimet në pikëpamjet lidhur me rregullimin e çështjes së Adriatikut bëhen edhe më evidente. Më 20 janar 1920, sekretari i Departamentit të Shetit, Lansing dërgonte nëpërmjet ambasadorit amerikan Vallaçe një memorandum në adresë të Kryeministrave Clemenceau (Francë) dhe Lloyd George (Britani e Madhe) lidhur me çështjet që qëndronin ende në rendin e ditës të negociatave midis Fuqive. Së pari, me Memorandum kërkoheshin disa shpjegime lidhur me procedurën e ndjekur në rrethin e ngushtë lidhur me akordin e 14 janarit. Bëhej vërejtje se SHBA nuk ishin konsultuar për mënyrat e zgjidhjes, madje protestohej në rast se do të merrej ndonjë vendim që do të linte jashtë Qeverinë amerikane dhe do të ishte në kundërshtim me pikëpamjet e saj. Ambasadori Lansing e përfundonte memorandumin duke njoftuar se Qeveria e SHBA-së nuk do të ishte në gjendje të dërgonte një përfaqësues të nivelit përkatës në Këshillin e Kryeministrave, prandaj sugjeronte rikthim në procedurën diplomatike normale për çështjet që prisnin ende një zgjedhje.

Personazhi kryesor në Konferencën e Versajës që denoncoi Traktatin e Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi i sigurt ishte Presidenti i SHBA-së, Udrou Uilson, në vitet 1913-1921, kryetar i delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Versaj (1919-1920), hartues i Deklaratës së 14 pikave të shpallur më 8 janar 1918, ku kërkohej vendosja e paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe vetëvendosjes së popujve; ishte ideator i krijimit të Lidhjes së Kombeve. Ai kundërshtoi kompromisin anglo – franko – italian në janarin e 1920, e cila parashikonte kalimin e Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut në Kufijtë e Mbretërisë S.K.S vetëm me të drejtën e një daljeje ekonomike në territorin e shtetit shqiptar; ndërhyrja e Presidentit U. Uilson ishte fitim kohe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare e cila organizoi Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920) dhe Luftën e Vlorës (11 qershor – 2 gusht 1920) që siguruan tërësinë tokësore dhe pavarsinë e Shqipërisë.

Në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë ruhen mjaftë dokumente origjinale të cilat bëjnë fjalë pikërisht për kërkesat e shqiptarëve drejtuar Qeverisë amerikanë në muajt e fundit të Luftës së Parë Botërore (1918) të cilët kërkonin mbështetje të interesave të saja të pavarura. Vështirësitë e panumërta që ndeshën shqiptarët fillë (menjëherë) pas shpalljes së pavarësisë, rrezikun seriozisht ekzistencën e shtetit shqiptar. Në një letër që mban datën 13 tetor 1918, drejtuar Qeverisë italiane nga një grup atdhetarësh shqiptar midis tjerash lexojmë: “Populli shqiptar, i bindur në të drejtën e tij për të qenë i lirë dhe i pavarur, dëshiron të jetojë në paqe në shoqërinë e kombeve. Për këtë i bënë thirrje botës liberale italiane të mbrojë çështjen e tij në përputhje me parimet e shpallura nga presidenti Uillson dhe të pranuara nga aleatët”.

Një dokument tjetër thuhet se: Kryetari Uilson, në ditën përkujtimore të Gjorgj Uashingtonit, përmes përfaqësuesit shqiptar që po i parashtronte dëshirën e bashëatdhetarëve të vet nën emrin e Shoqërisë Panshqiptare “Vatra” të Amerikës u shpreh atyre dashamirësinë dhe interesin që ai ushtronte për popullin shqiptar, çështjen e të cilit ai e njej mirë. Ai deklaron pranë varrit të Gjorgj Vashingtonit se zëri i tij do të dëgjohet në Konferencën e Paqes në Paris në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar”[3]. Më 15 dhjetor 1918, një grup studentësh shqiptarë në Vienë i drejtojnë një letër presidentit U. Vilson, ku në mes tjerash thuhet: “… Duke qenë se historia e jonë na la në mesjetë e në errësirë të plotë, politikanët serbë e grekë, gjetën rastin të mohojnë të drejtën tonë për një jetë politike. Kështu, shkuan kaq larg sa të mos shohin qenie gjeografike dhe etnografike tonën dhe se ato besuan se Evropa Perëndimore dhe Amerika duhej të lexonin punët e ngatërruara të Ballkanit vetëm mbas shkrimeve të tyre dhe të shohin vetëm me sytë e serbëve e grekëve… Por, fatmirësisht politikanë të mëdhenj që kanë ardhur në kontakt me Shqipërinë janë bërë mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes sonë, sepse kanë parë të vërtetën dhe padrejtësitë që bëhen kundra nesh. Midis tyre në radhë të parë është z. Gjorgj D. Villiams, ish ambasador  SHBA në Athinë, i cili dha dorëheqje më 1913, për të protestuar kundra, përdorimit të keq të Shqipërisë prej Fuqive të Mëdha të Evropës….

Zoti president! Në qoftë se në vendimin e paqes, një komb lihet i pambrojtur dhe përdoret kaq mizorisht, a mundet vallë në atë anë të botës të sigurohet paqja? Zotëri, Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar të merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj”.

Në zhvillimet tragjike për fatin e popullit shqiptar, atdhetari dhe veprimtari i shquar Mit’hat Frashëri do t’i drejtoj një përkujtesë kryetarit të SHBA-ve, U. Uilson, për ta ndërgjegjësuar atë lidhur me padrejtësitë që u ishin bërë e vazhdonin që t’i bëhen popullit shqiptar nga Fuqit e Mëdha. Mit’hat Frashëri në atë dokument e vinte në dijeni kryetarin Uillson se “Fuqit e Mëdha ishin të obliguar të rikujtojnë një Shqipëri të qëndrueshme”, që kështu të riparoheshin siç shprehet ai, “padrejtësitë dhe dyshimet e shqiptarëve ndaj saj në Konferencën e Berlinit (1878) dhe në atë të Londrës(1913). Kjo, sipas Mit’hat Frashërit ishte domosdoshmëri dhe parakusht për të siguruar paqen në Ballkan, e drejtë kjo “që imponohet nga parimet e Lirisë”. Në fund të përkujtesës së tij, autori i saj i sugjeronte kryetarit amerikan W. Uilson disa libra e harta nga autorët evropian me anë të të cilave provohej vërtetësia e pohimeve të tij.[4]

Parimet themelore të diplomacisë së Presidentit Uilson kanë qenë dy: a.) Mbështetja në drejtësi dhe b.) vetëvendosja për të gjitha kombet të mëdha e të vogla. Këto dy parime përjashtojnë pushtimet e huaja si dhe sundimin e çdo forme, qoftë të një fuqie të huaj mbi një vend tjetër. Pikërisht këtë e kërkonin shqiptarët: korrigjimin e padrejtësive të së kaluarës dhe njohjen e vullnetit të tyre të lirë.

Më 4 korrik të vitit 1918, në festën shtetërore të SHBA, presidenti U. Uilson deklaronte për priftin shqiptar, Fan S. Noli “Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”.[5] Kjo formulë shpëtimtare karakterizoi qëndrimin e tij ndaj çështjes shqiptare.[6]

Vizioni i Uilsonit për një rend të ri ndërkombëtar, gjeti shprehjen më të plotë në projektin e krijimit të një organizatë universal. Nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Platformës së tij, presidenti Uilson i shtoi pikën 14-të, në të cilën shprehte idenë e “një lidhjeje të përgjithshme të kombeve”, si garanci për të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, një alternativë kundrejt monopolist në rrethin e ngushtë të kësaj apo asaj aleance”. Ruajtja e paqes nuk do të vinte më nga llogaritjet tradicionale të forcës, por nga konsensusi gjithëbotëror. Pikërisht për të institucionalizuar këtë konsensus Uilsoni e avancoi idenë e formimit të Lidhjes së Kombeve, e cila do të ishte një organizatë universale, e cila do të kundërbalanconte vendimarrjen në kuadrin e ngushtë të “Koncernit të Fuqive”.[7]

Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Pak kohë më vonë Fan. S. Noli e rikujton presidentin Uilson gjithashtu në Gjenevë, kur Shqipëria e përfaqësuar prej tij u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarsia e vendit u njoh zyrtarisht. “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrokullonte në kokë një emër që ka fituar mirënjohjen e të gjithë zemrave shqiptare emri i Presidentit Uilson”. Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për presidentin Uilson duke e quajtur atë: “Profeti bujar i paqes njerëzore; ati spiritual i Lidhjes së Kombeve; titanë dhe kalorësi idealist”.[8]

Më 10 shkurt 1920, presidenti uilson protestoi kundër metodave anglo-franceze, ndërkaq pesë ditë më vonë (15 shkurt), Ai deklaron se: “Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëm në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Presidenti amerikan shkon edhe më larg duke iu kërcënua bashkëpunimit me Evropianët dhe me tërhiqen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm një ditë më vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit amerikan[9].

Për kontributin e presidentit Uilson në mbrojtjen e Shqipërisë Fan. S. Noli do të shkruaj: “E kamë njohur këtë kalorë të kohëve të kaluara në një kohë tragjike, më 4 korrik 1918, në Yacht-in Presidencial Mayflower, ku i rrethuar prej kabinetit, prej trupit diplomatik dhe prej përfaqësonjësve të racave të ndryshme në SHBA shkonte te varri i Washingtonit për të prononcuar të parin diskurs luftëtar. Atëherë iu afrova dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbaj mend sikur e dëgjonj sot: “Një zë do të kem në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”.

Dhe e mbajti fjalën. Në janar të 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vendit tonë i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm firmë që të bëhej një fakt definitive. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së Vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dha rastin të marrin frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot…”.

Mbështetja nga ana e SHBA-së dhe kryetarit Uilson e shumëkërkuar dhe shumëdëshiruar prej shqiptarëve nuk ishte dhe nuk mund të ishte ajo që pritej. Në ato vite, edhe pse SHBA ishte një fuqi gjithnjë në rritje, nuk ishte ende një fuqi e rëndësishme politike botërore. Pesha e këtij vendi të madh në vendimarrjet më të rëndësishme të botë do të ndihet më vonë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.[10]

Për popullin shqiptar mbështetja amerikane ishte vendimtare gjatë viteve të fundit të shek. XX, e sidmos gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë së Titos, pjellës së sëmurë të Konferencës së Paqes në Versaj në vitet 1919-1920, si dhe me rastin e intervenimit të Natos në Kosovë, në pranverën e vitit 1999.

Zoti i bekoftë SHBA dhe popullin amerikanë!

 

 

 


[1] Historia e popullit shqiptar, Vëll. III, Tiranë, 2007, f. 129;

[2] Po aty. F. 297.

[3] Po aty.

[4] Nebi Dervishi, Njeriu që demaskoi Traktatin – punim i cituar.

[5] Fan. S. Noli, V. Uilson, botuar në Revistën “Zëri I Shqipërisë”, n-1, prill 1996;

[6] Sami Repishti, “Përvjetori i vdkjes së Presidentit Uilson”, në gazetën Zhurnal, dt. 04.II.2013, f. 11.

[7] Arben Puto, Presidenti Uilson – mbrojtës i të vegjëlve”, në gazetën “Koha”, 17.03.2009

[8] Anton Cefa, “Kalorësi idealist”, në gazetën “Fakti”, dt. 19.06.2008.

[9] Romeo Gurakuqi, Shqipëria dhe çështja shqiptare pas Luftës së Parë Botërore, Shkodër, 2007, f. 14-33.

[10] Enciklopedia “Svet posle Drugog Svetskog Rata, Beograd, 1970, Tom III.

Next Post

Feriz Berisha i këndon shqiptares së ëmbël - këngë hit

Feriz Berisha është i pa ndalshëm. Këngëtari që së fundi është kthyer në një nga më produktivët, ka sjell hitin me titull “Shqiptarja omel”. Kjo këngë vjen e vizualizuar me videoklip dhe mjaftë shpejtë është bërë e dëgjuar dhe pëlqyer nga adhuruesit e këngëtarit dhe jo vetëm. Tekstin e këngës […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: