Si e njoha Xhafer Devën

vull

Me Xhafer Devën jam takuar së pari në aeroportin e Romës, me 6 nëntor 1956, kur familja jonë, si edhe ajo e Devës po emigronim për SHBA. Na pati prezantuar me te Said Kryeziu. Atëherë kemi udhëtuar me te dhe disa personalitete të njohura shqiptare nga Roma në JFK të New York-ut (i cili atëherë quhej Adlewild Airport). Disa nga personalitete tjera ishin Profesor Gaqo Goga nga Korça, njeri mjaft i njohur në Lëvizjen e Legalitetit, Profesor Miftar Spahija, një profesor nga Luma, edhe ky në Lëvizjen e Legalitetit, një inxhinier nga trojet shqiptare të Maqedonisë që nuk ia mbaj mend emrin, i cili ishte në Lidhjen Katundare. Ramazan Qosja me familje, Mark Shala nga Malësia e Shkodrës që i përkiste Bllokut Independent, dhe disa të tjerë.

Në aeroportin e Romës kishin ardhur shumë personalitete të njohura të Komitetin Kombëtar Shqipëria e Lirë, mbasi ata që udhëtonin ishin pjesëtarë të partive të ndryshme. Në të vërtetë kishim nga të katër partitë kryesore. Balli, Legaliteti, Katundaria, dhe Blloku. Të tri partitë e para ishin anëtare të Komitetit, kurse Blloku nuk bënte pjesë si parti por udhëheqësit e Bllokut, si Ismail Verlaci dhe Ndue Gjomarkaj, ishin pranuar në Komitetin Kombëtar si individë.

Në aeroport të Romes Said Kryeziu e paraqiti tim at te z. Deva kështu: Ky është Hamit Perolli nga Hasi, biografinë e tij nuk e ka shqiptar tjetër. Ky është i biri Gani Perolli.

 

Deva kishte një trup mesatar, me një fytyrë të zeshkët, të rrudhur, serioze, dhe antipatike. Me syza, dukesh si 60 vjeçar në atë kohë. Ai kishte ardhur në aeroport së bashku me gruan Austriake dhe dy fëmijë të gruas, me të cilët udhëtoj për në Amerikë. I treti fëmijë nuk ishte me ta.

 

Me Said Kryezinë kishin qenë kundërshtar politik gjatë luftës, por më vonë kishin arrit njëfarë marrëveshje pas formimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, në Paris në gusht të vitit 1949. Këtë marrëveshje vetë Deva e ka shpjeguar kështu në shtëpinë tonë në Boston: “Pas formimit të Komitetit shkova tek Said Kryeziu dhe i thashë që aleatët e mi e kishin humbur luftën dhe aleatët e tij e kishin fituar.  Kështu që sot e prapa unë dhe ata që vijnë pas meje jemi ushtar tuaj, i thashë. Deva tha që Said Kryeziu i kishte thënë që derisa të jemi në mërgim jemi vëllezër dhe nuk kemi as ushtarë as gjeneralë. Kur të kthehem në atdhe do veprojmë secili sipas pikëpamjeve tona”. Deva e çmonte shum Said Kryeziun në përgjithësi, dhe e çmonte faktin që ai nuk e kishte përulur gjatë kësaj bisede. Disa vite më vonë këtë bisedë ma ka përsëritur Said Kryeziu fjalë për fjalë. Deva ka qenë nga Mitrovica por prejardhjen a ka nga fshati Devë i Gjakovës. Familja e Devës kanë pas shkuar në Nish ku kanë pas krijuar një trageti. Madje ata më vonë janë kthyer në Mitrovice.

 

Në Amerikë, familja e jonë së bashku me familjen e Devës u vendosen në qytetin e Boston-it. Fotografia e tërë Familjes Perolli figuron në gazetat New York Daily News, Christian Science Monitor, dhe The Albanian-Amerikan, një gazetë e botuar në Boston nga shoqata e Veteranëve Shqiptaro-Amerikan të Luftës së Dytë Botërore.

 

Kur erdhëm në Boston unë të nesërmen fillova punë në hotelin Statler, hotel i cili atëherë ishte hoteli më i njohur në këtë qytet. Unë merresha ushqimet nga kuzhina dhe i çoja tek restoranti, kurse Deva punonte në kuzhinë si kuzhinier, me atë kapuçin e bardhë të kuzhinierit. Vite më vonë kur i tregova Ibrahim Farkës, një personalitet nga Tirana që ishte nënkryetar i Lidhjes Katundare, ai më tha: “Pse nuk ia more një fotografi ashtu si kuzhinier, që t’a kishim”.

Në hotelin Statler edhe Deva edhe unë kemi filluar punën me 9 nëntor 1956.

Një ditë pas ardhjes në Amerikë. Na ka punësuar menaxheri Shqiptar, Vasil Karolli, njeri që ka qenë në shtabin e gjeneralit Eisenhower gjate luftës së Dytë Botërore. Ai i ka zënë kos Gjeneralit i cili e pëlqente shumë. Shumë është shkruar për Xhafer Deven, sesi CIA e ka sponsorizuar për në Amerikë, e sesi atij i ka gjetur punë, etj. E vërteta është që familja jonë edhe të gjithë ata që kanë udhëtuar me neve kanë përfituar prej një ligji që e pat firmosur President Eisenhower në atë kohë. Asgjë tjetër nuk ka pasur.

Deva shumë fund jave na vizitonte në shtëpinë tonë. Më kujtohet që gjithnjë refuzonte me marrë kafenë i pari duke i thënë nenës sime: Ne nuk e meritojmë, sepse e humbëm luftën. Jepi grave më parë.

 

Zoti Deven kam pasur rast me e njohë edhe më mirë kur aty banonte në apartamentin e Destan Berishes në 156 Allen Street, New York, ku ishte qendra e Shqiptarëve që kishin ardhur në Amerikë pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e dijë se ku e kishte familjen në atë kohë, por nuk ishin me te. Unë e kam njohur Dostanin në New York. Ai ka qenë nga Bellusha e Prizrenit. Ka pas ikur nga Shqipëria me grupin e Muharrem Bajraktarit. Ka qenë admirues dhe mik i sinqertë i Xhafer Devës. Ata që kanë udhëtuar për në Greqi me Destanin thonë që ka qenë njeri i besueshëm dhe trim. Unë gjatë ditës shkonim në shkollë dhe punonim natën nga ora 4 deri në 12 të natës. Fund javës shkonim te Dostani dhe disa herë Deva na përgatitet drekën. Kishte dëshirë për të gatuar. Nuk ishte mendje madh dhe mjaftë na duronte në biseda. Aty kishte qejf të tregonte më se shumti ngjarje policie që kishin ndodhur, në Llap, Drenicë, Shalë të Bajgores, etj. Nuk folte shumë, dhe gati hiq, për kohën kur aty kishte qenë Minister i Brendshëm në Shqipëri, dhe jo politike në përgjithësi. E kishte kuptuar që koha e tij kishte kaluar dhe nuk pretendonte. Në Shqipëri kishte pasur qenë i zhgënjyer, dhe shumë i dëshpëruar. Nganjëherë, përdorte disa terma të dobëta kur fliste për Shqipërinë. Deva me profesion ka qenë inxhiner, familja e tij kanë pasur një fabrikë sharre në Mitrovicë. Me gjithë lidhjet e ngushta që gjoja Deva kishte me Gjermanët, Mitrovica pat mbetur nën administratën e Beogradit.

Deva tek unë nuk ka lënë përshtypje as të një intelektuali as të një politikani. Tek ai kam parë një administrator praktik që iu përshtatet situatës sipas nevojës, dhe dinte të manovronte mes qarqeve administrative. P. Sh. Deva ka punuar me agjencitë e informimit të disa shteteve të ndryshme, gjë që shihet qartë në disa letra të tij. Nuk ishte idealist dhe nuk pengohej nga ndonjë filozofi e caktuar.

 

Kur formoj Lidhjen e Prizrenit në New York, ai kishte qëllim të formoj një klub social dhe jo organizatë politike. Duke ditur që mungofshin kuadro të afta, dhe ata që ishin me kapacitet nuk do të pranonin pjesëmarrje në një organizatë të kryesuar nga Deva. Në atë kohë ishte tabu që organizatat Shqiptare në mërgim të kryesoheshin nga personalitete që kishin bashkëpunuar me okupatorët Italian ose Gjerman. Edhe aleatët Anglo-Amerikan nuk përkrahshin këto personalitete. Kjo ishte arsyeja që Blloku Indipendent nuk u pranua si parti në Komitetin Kombëtar Shqipëria e Lirë.

Zoti Deva në atë kohë i pat dërguar dy emisar te Said Kryeziu që ishin Mehmet,Agë Rashkoci, dhe Ali Riza Gashi. Unë kam ndodhur rastësisht te Said Kryeziu.

Porosia e Devës ishte që Z. Kryeziu të marri pjesë në kongres, dhe që do të ishte mirë që Zoti Kryeziu t’a marri në dorë Lidhjen. Said begu u tha kështu: Unë në Kongres vij, por pjesë aktive në Lidhje nuk marr.

Në një rast tjetër në apartamentin e Destanit ku ishim tubuar disa prej nesh, siç vinin shpesh te Destani për të takuar z. Devën. Kishin dëgjuar aq shumë për te dhe ishin kurioz. Një ditë një person nga Dibra i bëri këtë pyetje Deves: Çka mund të na thuash z. Deva, për Said Kryeziun? Deva u përgjigj kështu:

Si Saidi ne kemi pak. Ai prapë e pyeti, sa mendon që kemi. Deva i tha: Në Kosovë asnjë tjetër. Në Shqipëri mund të jenë një ose dy, por si emra nuk mund t’i përcaktoj.

Pas disa kohe Deva u largua nga New York-u për në Kaliforni ku jetoj deri kur vdiq. Shumë pretendojnë që e kanë njohur Devën mirë, por në të vërtetë e kanë njohur shumë pak. Unë e kam njohur atë rastësisht, jo pse ishim orvat për ta njohur. Unë në atë kohë kam pasur qëndrime të qarta dhe negative për të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me okupatorët nazi-fashist. Natyrisht në këtë grup bënte pjesë edhe Deva.

Next Post

Abdullah Qazimi mer mbështetjen e Kasamit për Strugën, pritet zyrtarizimi në kuvendin e degës

Në prezencë të liderit të Lëvizjes BESA, z.Bilall Kasami, si dhe të sekretarit të përgjithshëm z. Arjanit Hoxha, sonte u bë promovimi i kandidatit për kryetar komune për qytetin e Strugës ,Prof.Dr. Abdullah Qazimi. Kandidatura e z.Qazimi pritet të kalojë në kuvendin e degës dhe të zyrtarizohet në ditët në […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: