Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

INTELIGJENCIA SI KATEGORI AMORFE!

3 min read

Midis nesh

INTELIGJENCIA SI KATEGORI AMORFE!

 

Nëse nuk mendojmë për vete, atëherë të tjerët do të mendojnë për ne, por sipas kutit të tyre…

 

Në këtë kohë me shumë mjegullnaja më në fund është mirë që të zgjohemi nga gjumi i gjatë. Ta marrim veten me të mirë dhe të qëndrojmë para pasqyrës, ta identifikojmë veten (se jemi bërë me shumë fytyra) dhe të bindemi se kokën nuk e kemi lënë në shtrat.

Gjëja më e shëndetshme në këto kohë me shumë pikëpyetje duket se është identifikimi i vetvetes dhe pastaj kthimi te vetvetja, te identiteti ynë që ka filluar të ndahet pjesë – pjesë, varësisht se kujt si i konvenon.

Kriza e identiteti shkaktohet nga kriza në kulturë. Mbi kulturën tonë ka katandisur një shpërfillje e çuditshme, një lënie që çon drejt harresës, krejt kjo për shkak të vështrimit të çdo gjëje përmes interesit ose siç e dëgjojmë shpesh: it’s time for money (është kohë e parave).

Vetëm kultura merret me prodhimin e vlerave shpirtërore. Dhe, kur mungojnë këto vlera, atëherë në sipërfaqe dalin vlera të dyshimta, që janë një plagjiaturë e zbehtë dhe të huazuara. Pra, e huaja fillon të prezantohet si e jona, autoktone.

Ne jemi dëshmitarë se si, përmes fjalëve të huaja, po ndryshon edhe gjuha jonë. E injorojmë tonën, e lakmojmë të huajën. Akoma pa i mësuar bazat e gjuhës amtare, ne i mësojmë gjuhët e huaja.

Nëpër libraritë tona të pakta janë veprat e autorëve shqiptarë. Shtëpitë botuese, për shkak të logjikës se “kjo kohë është e parave”, janë hedhur në garë të vërtetë se kush boton më shumë autorë të huaja. Kjo, mbase tregon për nënçmimin që i bëhet letërsisë shqiptare dhe në këtë drejtim çdo koment do të ishte i tepër.

Diçka e ngjashme ndodh edhe nëpër teatrot shqiptare, të cilat kanë krijuar disa politika të mbrapshta, mbase shumë fyese. Me qëllim që të kursejnë për të vjedhur, u ikin autorëve shqiptare (të cilëve u takon honorari) dhe programin e përmbushin me autorë të huaj (ndaj të cilëve nuk kanë obligime pagese).

E gjithë kjo tregon se ndërgjegjja shqiptare, është një ndërgjegje e ndryshkur, e cila nuk i pengon askujt. Atëherë, a mund të flasim për inteligjencien shqiptare si një kategori e moralshme? Fatkeqësisht, kjo inteligjencie është shndërruar në një kategori amorfe, që qëndron diku thellë margjinave të ngjarjeve që dëmtojnë indin tonë kombëtar, ngjarje këto që ndodhin me shpejtësi marramendëse.

Nëse nuk mendojmë për vete, atëherë të tjerët do të mendojnë për ne, por sipas kutit të tyre. Dhe dihet se në çfarë rrethi jetojnë shqiptarët. Mbase këtë më së mira na e tregojnë kapituj tragjik të historisë sonë, kuptohet, nëse kemi ditur t’i lexojmë dhe t’i deshifrojmë…/HEJZA/