Investim në Ardhmëri: Përurohet fasada e re në SHFK “Andreja Saveski–Kikish”, të pranishëm zyrtarë të lartë

Tetovë – Me fëmijë të buzëqeshur dhe një program festiv, sot në shkollën fillore “Andreja Saveski–Kikish” në Tetovë u shënua përfundimi i vitit shkollor dhe u përurua fasada tërësisht e rinovuar e ndërtesës.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, vizituan shkollën për të parë nga afër investimin e bërë, i cili ka siguruar kushte shumë më të mira pune për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Në fjalën e tij, Kryetari Kasami theksoi përkushtimin për të investuar në arsim si një prioritet kryesor.
“Fëmijë të buzëqeshur, program i mrekullueshëm dhe atmosferë festive sot këtu. Ky është edhe qëllimi ynë – investimi në arsim, në të ardhmen e fëmijëve tanë. Suksesi i nxënësve ndodh në shkollë, ndërsa suksesi ynë është kur u krijojmë atyre kushte dinjitoze,” deklaroi Kryetari Kasami.
Në fund, ai u uroi pushime verore të mbara të gjithë nxënësve.