Izet Mexhiti: Gjyqësori u çlirua nga BDI-ja, shqipja nuk preket – qytetarët shqiptarë të qëndrojnë të qetë!

Zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin gjyqësor, duke deklaruar se “gjyqësori më në fund është çliruar nga diktati politik i BDI-së” dhe se gjuha shqipe nuk rrezikohet nga ndryshimet që kanë ndodhur në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Në vitin 2023, gjatë qeverisjes së BDI-së së udhëhequr nga Artan Grubi, Parlamenti zgjodhi një gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese pa marrë parasysh kandidaturat tjera, duke shkelur procedurat ligjore,” thuhet në deklaratën publike.
Sipas Mexhitit, kjo gjyqtare ishte “kaq e rëndësishme për BDI-në, sa u votua me 64 vota pa asnjë kundërshtim”, gjë që sipas tij dëshmon për kapjen e institucioneve të drejtësisë nga politika partiake.
Në vitin 2024, ish-funksionari i lartë i BDI-së, Artan Grubi, u vendos në listën e zezë të SHBA-ve për ndërhyrje në gjyqësor, përfshirë ndikimin në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe në vendime gjyqësore.
“Ky vendim e konfirmoi qartë se gjyqësori ishte i kapur nga partia dhe zbatonte urdhra politikë”, theksoi Mexhiti.
Sot, sipas tij, Artani është në ekzil, BDI-ja në opozitë, dhe gjyqësori është i lirë nga ndikimi politik. Ai shton se gjyqtarja e emëruar me ndikim politik nuk është më referuese për Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Shqipja nuk preket. Qytetarët shqiptarë të qëndrojnë të qetë,” përfundon deklaratën e tij zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.