Izet mexhiti: Vendimi i taravarit është sponsorizuar nga BDI-ja

Shkup, 16 prill 2025 – Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe njëherazi pjesë e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Arben Taravarit për të dalë në zgjedhjet lokale me lista të ndara, duke e cilësuar këtë si një veprim të qëllimshëm për përçarjen e opozitës shqiptare dhe një shërbim ndaj BDI-së.

Mexhiti deklaroi se tashmë nuk është sekret që Taravari ka zhvilluar negociata me Ali Ahmetin, me ndërhyrjen e eksponentëve të oligarkisë, që sipas tij kanë për qëllim ringjalljen e BDI-së nga “vdekja klinike”. Ai theksoi se këto bisedime kanë nisur shumë kohë më parë, përpara se Taravari të shpallte vendimin e tij për të garuar jashtë VLEN-it.

“Ky është një vendim pa përkrahje të anëtarësisë së ASH-së dhe i bazuar vetëm në interesa të BDI-së. Publiku do ta kuptojë shumë shpejt çmimin e kësaj marrëveshjeje dhe Taravari do të duhet të japë llogari”, u shpreh Mexhiti.

Ai konfirmoi se VLEN do të garojë bashkërisht në zgjedhjet lokale, si me kandidatë për këshilltarë ashtu edhe për kryetarë komunash, ndërsa paralajmëroi themelimin e shtabeve zgjedhore dhe shpalljen e strategjisë së re për zgjedhjet e ardhshme.

Në fund, Mexhiti u bëri thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe funksionarëve të ASH-së që të distancohen nga “politika e përçarjes së z. Taravari” dhe të qëndrojnë në Koalicionin e Ndryshimit.

“Vjeshta sjell fitore të re dhe një skenë të re”, përmbylli ai.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights