Kalon në Qeveri financimi për fazën e dytë të rrugës Trebosh – Neproshten, një projekt i rëndësishëm për rajonin e Pollogut

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka njoftuar se ka kaluar në Qeveri financimi për fazën e dytë të projektit të rrugës regjionale Trebosh – Neproshten, një aks rrugor shumë i rëndësishëm për rajonin e Pollogut. Ky projekt përfshin komunën e Zhelinës (Pallaticë, Trebosh dhe Uzurmisht), si dhe komunat e Tearcës, Jegunovcës dhe Tetovës.
Rruga Trebosh – Neproshten do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e komunikacionit rrugor në këtë zonë, dhe për herë të parë do të mundësohet qasje nga autostrada për në këtë rrugë. Gjithashtu, kjo do të lidhet me rrugën e re që është duke u ndërtuar tani, Pallaticë-Tetovë.
Kryetari Sejdiu theksoi se ky është një hap i madh për përmirësimin e infrastrukturës në rajon dhe një mundësi e shkëlqyer për të lidhur më ngushtësisht komunat e Pollogut me qytetet dhe aksessibilitetin më të mirë për qytetarët dhe bizneset. Infrastruktura rrugore në këtë rajon po përmirësohet dukshëm, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë.