Kamberi kundër emërimit të Demo Berishës: Simbol i mohimit dhe kuisling i ri politik

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për emërimin e Demo Berishës si ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi. Sipas Kamberit, ky veprim përbën një fyerje të rëndë për çdo shqiptar që ka rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta, duke e cilësuar Berishën si një simbol të mohimit të identitetit shqiptar dhe bashkëpunëtor të strukturave shtypëse.
Kamberi e akuzon Demo Berishën si ish-oficer të ushtrisë serbe dhe mbështetës të narrativave anti-Kosovë, duke shtuar se ai nuk përfaqëson aspak shqiptarët e Luginës. Sipas tij, Berisha është përdorur nga autoritetet serbe për propagandë, duke promovuar idenë se shqiptarët janë të integruar – por vetëm nëse mohojnë Kosovën dhe përulen ndaj Beogradit.
Sipas Kamberit, ky propozim është një tentativë për të zëvendësuar zërin e shqiptarëve të vërtetë në Serbi me figura të instrumentalizuara, të ngjashme me bashkëpunëtorët e periudhës së Millosheviqit. Ai i bën thirrje institucioneve në Prishtinë, Tiranë dhe faktorëve ndërkombëtarë që të reagojnë, duke paralajmëruar se heshtja ndaj një emërimi të tillë është bashkëfajësi.