Kasami: Shkollat e Tetovës po arrijnë standardet më bashkëkohore në rajon

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ambasadorin e Austrisë, Martin Pammer, atë të Sllovenisë, Grekor Prseker, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, vizituan shkollën fillore “Migjeni”, ku promovuan punimet e realizuara në kuadër të bashkëpunimit me Këshillin e Ambasadorëve.
Falë këtij bashkëpunimi, në shkollën “Migjeni” janë riparuar hapësirat e brendshme, janë rregulluar tualetet dhe është sistemuar kopshti i shkollës.
“Komuna e Tetovës është e përkushtuar për të ndryshuar pamjen dhe cilësinë në shkolla. Këtë e bëjmë çdo ditë dhe tashmë mund të them me bindje se shkollat e Tetovës janë në një nivel me ato më bashkëkohoret në rajon,” theksoi Kasami.
Ai falënderoi ambasadorët për ndihmën e ofruar, si dhe drejtorin e shkollës, Lirim Amiti, për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve në arsim.