Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas-s, gjeneral major Benjamin J.Corell, pritet me nderime të larta ushtarake

2 min read
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të MM-së dhe FSK-së, kanë pritur me nderime të larta ushtarake në vizitën e tij lamtumirëse, Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral major, Benjamin J.Corell.
Më këtë rast, Ministri Mehaj e dekoroi Gjeneralin Corell me Medalje për Shërbim të Shquar, e cila iu dha në vlerësim të shërbimit të tij shembullor dhe kontributin e dhënë në forcimin e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Gardës Kombëtare të Iowas.
Ndërsa, për angazhim të jashtëzakonshëm dhe vetëmohues, për kohën sa ka shërbyer si Komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s, në mbështetjen e FSK-së në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve profesionale dhe operacionale, veçanërisht në ndërveprimin mes Ushtrisë së SHBA-së dhe FSK-së, edhe për operacionet në misionet paqeruajtëse, Gjeneral Jashari i ndau Gjeneralit Corell Medaljen për Shërbim Vetëmohues.
Në këtë takim, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari falënderuan Gjeneralin Corell për kontributin e tij të dhënë në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke theksuar se progresi dhe të arriturat e deritashme janë gjithashtu edhe si rezultat i përpjekjeve dhe punës së tij me përkushtim të lartë.
Nga ana e tij, Gjeneral Corell, falënderoi për nderimet, respektin dhe pritjen e ngrohtë e miqësore, duke theksuar se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i shkëlqyer në mes dy shteteve dhe forcave tona, të vazhdojnë edhe në të ardhmen me pasuesin e tij.
Ndër të tjera, Gjeneral Corell shprehu përshtypjet e larta të tij për nivelin e zhvillimit dhe avancimit të MM-së dhe FSK-së, si forcë profesionale dhe partner dinjitoz i Gardës Kombëtare të Iowa-s.