Kosova mikpritëse e komandës amerikane në “Defender Europe 25” – mbi 1.000 trupa të FSK-së në ushtrimet ndërkombëtare

Defender Europe 25 është ushtrimi më i madh që Ushtria e Shteteve të Bashkuara té Amerikës realizon në kontinentin e Evropës.
Defender Europe 25 këtë vit shtrihet në tri zona gjeografike të Evropës: në Evropën veriore, Evropën qendrore dhe në Evropën juglindore ku hyn edhe vendi ynë. Në këto tri zona në ushtrime që do të zhvillohen në kuadër të Defender 25 do të angazhohen 25.000 ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe vendeve partnere.
Në zonën e Evropës juglindore ku hyn edhe Kosova do të marrin pjesë 12.000 ushtarakë nga 19 shtete.
Republika e Kosovës do të jetë vend nikoqir në mesin e 18 vendeve nikoqire dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë me përafërsisht 1.000 trupa në ushtrimet që do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.
Veçantia më e rëndësishme për ne në Ushtrimin Defender Europe 25 është që Republika e Kosovës është vendi i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur komandën e Divizionit 28 të këmbësorisë. Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane do të udhëheqë me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore.
Përveç komandës së Divizionit 28 në Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës njësiteve të FSK-së do t’u bashkëngjiten edhe njësi ushtarake të Gardës së IOWA, njësi dhe personel nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kroacisë, Maqedoncia e Veriut dhe Bullgaria.
Pjesa e ushtrimit që zhvillohet në Kosovë do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në pjesën perëndimore të vendit tonë.
Gjatë këtij ushtrimi njësitë e FSK-së do të zhvillojnë operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit. Në ushtrim do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera dhe që po vazhdojnë të blihen nga Qeveria e Kosovës për ushtrinë tonë.
Ky ushtrim ka rëndësi të madhe për rritjen e ndërveprueshmërisë së forcës tonë me ushtritë e vendeve partnere dhe tregon për rritjen e besimit që ShBA-të dhe partnerët kanë në Qeverinë e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe para së gjithash në profesionalizmin e ushtrisë tonë. Kosova po dëshmon që është e aftë për té mikpritur dhe për té organizuar né territorin e saj ushtrime komplekse që kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights