Kosova siguron grant prej 5 milionë euro për përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza në Mitrovicë dhe Vushtrri

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar sot një marrëveshje granti në vlerë prej 5 milionë euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Ky grant është pjesë e projektit për zhvillimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës dhe parasheh ndërtimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues në komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përfshirë edhe zonat përreth.

Projekti synon të përmirësojë jetesën për afro 123 mijë banorë duke reduktuar ndotjen mjedisore dhe duke mbrojtur burimet ujore nga shkarkimet e patrajtuara.

Vlera totale e projektit deri më tani arrin në 38 milionë euro, ndërsa granti i sotëm është rezultat i aplikimit të suksesshëm të Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt garantimit të shërbimeve më cilësore, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights