Kosovë, Konjufca thërret takim me liderët politikë mes ngërçit për formimin e qeverisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thirrur një takim me kryetarët e subjekteve politike parlamentare, i cili pritet të mbahet sot në mesditë, nga ora 12:00, në njërën nga sallat e Kuvendit të Kosovës.
Ky takim vjen në një moment kur vendi ndodhet në një situatë politike të pasigurt, pasi kanë kaluar mbi dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme dhe ende nuk është arritur formimi i qeverisë së re.
Ende nuk ka informacione të detajuara mbi temat që do të diskutohen në takim, por sipas burimeve parlamentare, qëllimi kryesor është shtyrja përpara e procesit të konsultimeve mes partive për të dalë nga bllokada institucionale dhe për të siguruar formimin e një qeverie funksionale.
Ky zhvillim është parë si një përpjekje për të rikthyer dinamikën politike dhe për të shmangur një krizë të thellë kushtetuese që mund të çojë në zgjedhje të reja, nëse partitë nuk arrijnë një marrëveshje për koalicionin qeverisës.