Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Kryetari Glauk Konjufca: Ballkani Perëndimor duhet të pranohet sa më parë në BE dhe në NATO

5 min read

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, diplomati Prindon Sadriu dhe këshilltarët e Kabinetit, priti sot në takim një delegacion parlamentar të Maqedonisë së Veriut të kryesuar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Në takimin e përzemërt dhe përmbajtjesor me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u diskutuan një mori çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë edhe zhvillimet aktuale në rajon e më gjerë, si dhe mënyrat e forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes të dyja vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Kryetari Konjufca u shpreh i nderuar të pres në takim kryeparlamentarin Talat Xhaferi, duke e falënderuar për kontributin e tij të veçantë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që, siç tha, mund të konsiderohen më shumë se marrëdhënie miqësie e partneriteti.

“Besoj se në Kosovë ndjeheni si në shtëpinë tuaj dhe jeni kurdoherë i mirëseardhur”, tha ai.

Kreu i Kuvendit njëherë vlerësoi rolin pozitiv të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në rrugën e integrimit evropian, duke shprehur besimin se kjo mbështetje e fqinjit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Jemi në një rrugëtim të përbashkët. I gjithë Ballkani Perëndimor duhet të pranohet sa më parë në BE dhe në NATO për të mos lënë hapësira destabilizimi në rajonin tonë”, ka thënë kryetari Konjufca.

Të dy homologët ndanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me nevojën e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve në funksion të realizimit të agjendave të përbashkëta integruese.

Në konferencën për media pas takimit, kryetari Glauk Konjufca tha se relacionet e mira midis dy vendeve diktohen prej vet natyrës së lidhjes që e kanë të dy popujt me njëri-tjetrin dhe bashkëpunimit shumë të mirë që institucionet e të dyjave vendeve kanë midis tyre.

Duke veçuar këtu rolin e parlamenteve, Konjufca përmendi miratimin në të njëjtën kohë nga Kuvendi i Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut të rezolutës, përkatësisht deklaratës, kundër agresionit rus në Ukrainë, e cila, siç tha ai, po sulmohet padrejtësisht nga Federata ruse, duke shkaktuar shumë humbje të jetëve të civilëve të pafajshëm, duke mos kursyer as fëmijët.

“Ne jemi shumë të gëzuar që në të njëjtën kornizë po veprojmë së bashku me Maqedoninë e Veriut për të qenë plotësisht të përcaktuar për sanksionet për të cilat BE-ja, NATO-ja dhe shtetet më të fuqishme demokratike, në krye me diplomacinë më të fuqishme të botës, SHBA-në, po i vendosin Federatës ruse. Pra, edhe Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë në të njëjtën linjë të përcaktimit properëndimor, prodemokratik dhe protransantlantik”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO edhe njëherë po e sjell në vëmendje rëndësinë e vet, sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë.

“Të gjithë ata skeptikë që kishin dilema për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe të Malit të Zi e të Shqipërisë më herët, sot e kuptojnë se sa i rëndësishëm ishte ky anëtarësim dhe e kuptojnë po ashtu se edhe Kosova duhet sa më shpejt të bashkohet me këtë familje të ombrellës transantlantike të sigurisë, aty ku përfundimisht e ka vendin”, tha Konjufca.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Konjufca tha se nuk duhet përjashtuar kurrë mundësia e agresionit serb mbi Kosovën, duke shtuar se raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të këqija se ato mes Rusisë e Ukrainës.

“Federata Ruse e ka njohur Ukrainën, ishte pajtuar me shtetësinë e saj dhe prapë e ka sulmuar. Serbia as nuk e njeh Kosovën. Nga ky kuptim unë mendoj se duhet të kemi kujdes të shtuar me Serbinë. Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta shtojnë nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit. Kosova duhet padyshim ta ketë edhe nivelin artilerik të ushtrisë së vet dhe natyrisht që të gjitha këto ne do t’i bëjmë në bashkëpunim me NATO-n”, theksoi kryetari Konjufca.

Ndërkaq, lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sipas mënyrës që ato janë mbajtur deri tash, pra ilegale dhe në shpërputhje me praktikat ndërkombëtare, nuk i kontribuojnë stabilitetit të Kosovës. Rrjedhimisht, ai tha, sikurse referendumi Serbisë i cili nuk u lejua të mbahej, edhe zgjedhjet e kanë të njëjtin kuptim dhe ashtu duhet të trajtohen.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nga ana e tij, tha se ne jemi më shumë se fqinj dhe se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale, që karakterizohen me respekt të ndërsjellë, dialog të hapur dhe konstruktiv.

Ai tha se kjo vizitë është provë konkrete për këtë konstatim, siç ishte edhe mbajtja e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës, në shtator të vitit të kaluar.

Kryetari Xhaferi e konsideroi tejet të rëndësishme pjesëmarrjen e Kuvendit të Kosovës në një varg institucionesh dhe mekanizmash ndërkombëtarë parlamentarë, në të cilat shtrihet edhe bashkëpunimi midis dy parlamenteve.

Po ashtu ai tha se Maqedonia e Veriut, si anëtarëve e plotfuqishme e NATO-s, mbështet aspiratat euro-atlantike të Kosovës, duke qenë në dispozicion të ndajë njohuritë dhe përvojat e fituara nga rrugëtimi euroatlantik i saj.

“Ne si Maqedoni kemi qëndrim afirmativ sa i përket anëtarësimit të Kosovës në të gjitha nismat dhe forumet multilaterale dhe rajonale dhe do të vazhdojmë edhe më tej mbështetjen e anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat dhe nismat ndërkombëtare, në të cilat jemi anëtar me fuqi votuese”, theksoi Xhaferi.

Duke folur në lidhje me dialogun ndemjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, Xhaferi tha se Maqedonia i jep mbështetje të plotë këtij dialogut, i cili duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Sa i përket agresionit rus mbi Ukrainën, Xhaferi përsëriti qëndrimin se Republika e Maqedonisë e dënon në mënyrën më të ashpër dhe pa rezerva këtë akt të paarsyeshëm, të pandërgjegjshëm dhe të paprovokuar, cili tanimë mori shumë jetë njerëzore dhe i cili, sipas tij, paraqet shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe njëherësh kanosjen më të madhe ndaj sigurisë euro atlantike.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Kosovë me ftesë të kryetarit Glauk Konjufca dhe gjatë ditës do ta takojë edhe kryeministrin Albin Kurti.