Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

A ËSHTË TEATRI ARENË E PROCESIT KRIJUES PUBLIK!?

4 min read

Midis nesh

A ËSHTË TEATRI ARENË E PROCESIT KRIJUES PUBLIK!?

 

Fatkeqësisht, sot vetëm përmes një pllakati të publikuar në ndonjë fb personal do të kuptojmë se “sonte kemi shfaqje”!

 

Teatri është një “planet” ku përmes lojës realizohet një “realitet i ri”! Shfaqja e këtij “realiteti” pa dyshim që është vepër regjisoriale, e cila formësohet nga një krijimtari kolektive, duke përfshirë angazhimin e një sërë subjektesh. Pa dyshim që perceptuesi dhe recipienti i parë i këtij “realiteti” është shikuesi, i cili, sapo të ngritët perdja, sakaq do të marrë një sërë informacionesh (mizanskena, dekorimi, kostumi, muzika etj.). Loja e aktorit i jep teatralitet çdo gjëje që gjendet në skenë, sepse ndryshe nuk do të kishim proces krijues. Nëse në film shikuesi sheh rezultatin e procesit krijues, në shfaqje teatrale e shikon dhe përcjellë vetë procesin krijues. Akti krijues përthithet nga sytë e shikuesit dhe kjo shkakton ndikimin shpirtëror mbi të!

Pra, tërë ky angazhim kolektiv i krijuesve të ndryshëm (dramaturgu, regjisori, kostumografi, kompozitori etj.), bëhet vetëm për shikuesin që është pjesë e publikut! Në prag të premierës, recipienti shpirtërisht e ndjenë se përmes lojës aktoreske do të bartet te ai “realitet i ri”, për të cilën paraprakisht i duhet një përgatitje intelektuale, shpirtërore, një shkathtësi për t’i kuptuar shenjat që do t’i hasë në skenë dhe, tërë kjo parapërgatitje, do ta shpreh gjendjen solemne të shpirtit të tij! Shikuesi nuk futet në teatër për të humbur pak kohë të tepërt, por për ta përjetuar atë ritual shpirtëror që nuk mund ta përjetojë në asnjë situatë dhe realitet tjetër!

Prandaj, teatri është arenë e procesit krijues publik. Kurrë nuk duhet të fshihet asgjë, sepse fshehja në teatër do të thotë shkëputje e disa hallkave jetike të “zinxhirit krijues”, me ç’rast nuk arrihet ajo lidhshmëri e domosdoshme në mes të lojës, teatralitetit dhe publikut.

Fatkeqësisht, sot, vetëm përmes një pllakati të publikuar në ndonjë FB personal do të kuptojmë se “sonte kemi shfaqje”! Pse ky sekret, pse ky proces krijues “nëntokësor”?! Kujt i duhet ky produkt? Organizimi i një shfaqje teatrale a është art apo krim! Pse dikush të mendojë se produkti teatrale duhet të mbetet surprizë, duke ua ngulfatur entuziazmin të gjithë atyre që përfshihen në këtë krijimtari kolektive! Çdo shfaqje duhet të jetë ngjarje e rëndësishme kulturore, duhet të jetë festë kombëtare pas fitores në një “beteje” dy-tre muajsh! Betejat nuk janë sekrete, sepse, nëse janë, atëherë kemi të bëjmë me një veprimtari nëntokësore që nuk i bën nder as “heronjve kombëtar”, as dramaturgut, as regjisorit as aktorëve, as publikut!

Më parë, përgatitja e një shfaqje përcillej nga mediat e ndryshme dy-tri herë përgjatë procesit dhe publiku informohej për një vepër artistike që po vjen! Sot, jo! Prandaj, teatrot na kanë ngelur pa publik. Fatkeqësisht, edhe publikun e kemi ndarë në kategori! Kategoria e parë gjithsesi që do të jenë funksionarët partiakë, të cilët e mbushin sallën dhe të cilët shfaqjes ia japin autorësinë partiak. Ky publik shfaqjen nuk e percepton si proces krijues, në të cilën janë përfshirë një numër krijuesish e aktorësh, por thjesht, e percepton si produkt dhe sukses të partisë. Ky publik nuk duhet të jetë i përzier me publik tjetër, qoftë ky edhe komunitet krijuesish, ose eventualisht mund të përzihet me një pjesëmarrje minimale të familjarëve të krijuesve dhe të atyre që i japin shpirt shfaqjes. Kënaqësinë e publikut partik nuk duhet ta përjetojë asnjë lloj publiku tjetër. Prandaj, shfaqjet, pas një apo dy përsëritjeve po na vdesin, pa kurrfarë shënimi “nekrologjik” apo “epitafik”! Pse, a ky qenka art? Për publikun partiak qenka themeluar dhe duhet të funksionojë Teatri? Kush janë ata mediokër që procesit krijues në Teatër, përmes “misteriozitetit” i japin “ngjyrime kriminale”, ndaj dhe shpëtimin e presin nga “publiku partiak”, i përbërë nga funksionarë, nga truproja e tyre dhe nga militantë që më tepër përfshihen në publik sa për t’u parë nga “lideri” si ndjekës i tij, sesa për të ndjekur një shfaqje përplot shenja e simbole të cilat u duken si tela gjembore që mund t’ua shqepin shpirtin tullumbac. /HEJZA/