KOMEDI MBI NJË TRAGJEDI TË TRISHTË

vull
0 0
Read Time:3 Minute, 17 Second

Letër nga Tirana

KOMEDI MBI NJË TRAGJEDI TË TRISHTË

Teatri Kombëtar ka vendosur që në skenë të vë “komedinë e famshme” PREFEKTI, të autorit Besim Levonja, e shkruar pas viteve ’45 dhe e cila, përreth 40 vite ka qenë në repertorin e këtij Teatri, ndërsa është luajtur edhe si film! Komedia tallet me një nga figurat më markante të patriotëve shqiptarë, me Qazim Mulletin, prefektin e Tiranës në vitin 1940. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Qazim Mulleti do të ik në Austri, ndërsa gruaja e Tij, Hajria dhe djali 14 vjeçar, Reshiti, për 45 vjet me radhë do të internohen e do të keqtrajtohen deri në përfshirje të tyre si personazhe të gjallë në këtë “vepër komike”!

Qazim Mulleti ka qenë një nga figurat më intelektuale dhe të arsimuara të kohës! I shkolluar në shkollat dhe universitetet prestigjioze, fillimisht në Manastir, pastaj në Greqi, Turqi dhe Austri. Ishte poliglot, dinte shumë gjuhë të huaja, si: turqisht, osmanisht, arabisht, gjermanisht, frengjish, italisht, latinisht, kroatisht dhe greqisht. Në periudhënderisa ishte prefekt i Tiranës, u realizuan disa nga projektet që ishin hedhur në kohën e Mbretit Zog, si: godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria, hotel “Dajti” etj. Me nënshkrimin e tij do të lirohet nga burgu Besim Levonja, i cili më pastaj do ta shkruaj komedinë “Prefekti”,  ku me përbuzje do të tallet me një prej intelektualëve dhe patriotëve më të mëdhenj të kombit shqiptar.

Sot, sërish do të tallet ky personalitet poliedrik i kombit! Në vend se t’i kërkohet falje publike, në vend se të dëmshpërblehet kjo familje e paktë e Tiranës, shtëpitë e kësaj loze të shpallen trashëgimi kulturore, ata do të tallen edhe më tej, por tani me aktorë e regjisorë të cilëve, mbase “tinëzisht”, u ka ikur respekti për figurën e ndritshme të Qazim Mulletit!

Deri më sot, vetëm aktori i madh i kombit, Robert Ndrenika, ka kërkuar falje publike për interpretimin e tij në rolin tallës të Qazim Mulletit, vepër kjo e porositur dhe e kërkuar vazhdimisht nga Partia Komuniste e Enver Hoxhës!

A mund të “demitizohen” personalitetet tona duke ua kapur dimensionin humoristik që kanë pasur, sensin për humor, me plotë batuta humoristike! Ata që e kanë njohur për së afërmi Arbër Xhaferin e kanë ditur se ka qenë një humorist i mrekullueshëm. Por, kush do të donte sot të tallet me këtë personalitet! As armiqtë e tij të shumtë nuk do të pranonin të talleshin me figurën e tij! Po me figurën e Ibrahim Rugovës, të Ismail Kadaresë, të Rexhep Qosjes, të Zija Çelës…

Qazim Mulleti më vitin 1920 do të zgjidhet komandant i Forcave vullnetare për mbrojtjen kufijve të Shqipërisë nga invazioni i Serbisë. Dhe, sot, kur pikërisht Serbia insiston që të prekë e të ndryshojnë kufijtë shqiptar, do të tallemi me personalitetin kombëtar që dikur i luftonte këto synime okupuese serbe?!

“Prefekti”, si vepër letrare, është totalisht anonime, nuk përmendet askund, nuk trajtohet si vepër, nuk është e përfshirë në asnjë antologji dhe kritika letrare e ka injoruar tërësisht! Me injorimin e kësaj vepre i është shprehur, mbi të gjitha, respekt një prej familjeve më të vjetra tironse, familjes Mulleti, në veçanti zonjës së Qazimit, Hajries dhe të birit, Reshitit, të cilët padrejtësisht vuajtën, duke qenë të degdisur nga moçali në moçal, nga luginat në luginë, nëpër vende të thepisura e të trishta për të jetuar si njeri!

Shumë intelektualë dhe shoqata nga komuniteti tiranas kanë apeluar që të bojkotohet kjo shfaqe që e kanë quajtur “maskaradë të pasardhësve të komunistëve shqiptarë”! Shumë e rëndë, kurse për botën perëndimore paradoks i llojit të vet: një institucion nacional që tallet me figurën kombëtare, ndërsa përballë opinioni që thërret për t’u bojkotuar shfaqja. Diku në mes politika, apo institucioni shtetëror që e financon një tallje të tillë! Nuk është “e qartë” në llogari të kujt financohen talljet me “shenjtërinë” e figurave kombëtare!/HEJZA/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Next Post

BIRN: Rruga e papërfunduar e Arbrit u hap me shumë bujë dhe akoma më shumë arna

Qytetarët e Shqipërisë veri-lindore patën mundësinë gjatë festave të nëntorit të përdorin për herë të parë një rrugë të re lidh Tiranën me Dibrën, por ‘veprat e artit’ të projektit mbeten të papërfunduara. Qeveria thotë se punimet duhet të përfundojnë në prill 2022, “sipas kontratës”.   Tabela në rrugën e […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: