Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

KUNGULLI I INJORANTËVE

2 min read

Midis nesh

 

 

Për dallim nga vendet me jetë të pasur kulturore që gjithnjë prodhojnë vlera të shumta shpirtërore, te ne, përkatësisht në hapësirat shqiptare, organizimi i jetës kulturore është kuptuar krejt ndryshe për të mos thënë mbrapshtë. Krijimi i disa standardeve që më shumë u ngjajnë kruzhoqeve provinciale, janë dëshmi se organizimi kulturor ndër ne ka një qasje tjetër. Kultura nuk kuptohet si një vlerë që përmbushet me segmente që e përcaktojnë identitetin e një populli,  por si organizim i grupeve të ndryshme që i bashkon, mbase përkohësisht, një qëllim i caktuar. Gjithsesi kjo do të ketë ndikuar që midis nesh të kemi inflacion të analfabetëve, të pamoralshmëve, hajdutëve dhe një armatë të “artistëve” mediokër dhe mbi të gjitha faktorizim brenda natës të anonimëve, të cilët mendojnë se kultura është çështje që kapërdihet lehtë. Kjo, mbase ka bërë që të mos kemi jetë kulturore të mirëfilltë, por vetëm belbëzime të herë pas hershme, të shprehura përmes disa aktiviteteve që tashmë i ngjajnë si veza vezës.

Aty ku nuk ka seriozitet dhe ku mungon përgjegjësia si dhe dashuria për vlerat autoktone, aty veprojnë injorantët që nuk zgjedhin mjete për ta mbajtur kungullin mbi ujë. Kjo qasje është shkaku kryesor që të kemi kaq shumë amatorizëm në kulturë, i cili amatorizëm përmbyllet me aktivitete jo kulturore. Të tjerat janë vetëm mjegullnaja dhe demagogji, të cilat, fatkeqësisht, nga shumë individë akoma trajtohen si vlera shpirtërore. /HEJZA/