Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Letër nga Cyrihu : HESHTJA E VEPRAVE CILËSORE, PSE!

2 min read

Emri i Adem Gajtanit (1935 – 1982) për shumë kënd është emër i panjohur. Në të vërtetë Gajtani është i autor i shumë veprave poetike, një poet shumë i mirë, mbase ndër më të mirët, i cili për çështje, do të thoshim, morale, është heshtur jo vetëm nga kritika shqiptare, por edhe nga të gjitha institucionet kulturore.

 

Shikuar nga rrethanat e tanishme del se sidomos vepra e tij nuk e meritoi një heshtje kaq drastike. Janë me dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, të cilët me devotshmëri i shërbyen sistemit komunist e të cilët sot qëndrojnë lartë në panteonin e letërsisë shqiptare, por ja që nuk e patën fatin e Adem Gajtanit. Përkundrazi, kritika letrare për asnjë çast nuk i shqepet veprave të tyre që, dorën në zemër, janë nën nivelin e veprave të Gajtanit.

Po kështu patëm shkrimtarë që ishin vegla të shërbimeve sekrete, duke i vëzhguar ditë e natë “armiqtë” e Hoxhës e Titos, të cilët shkrimtarë çuditërisht edhe sot e kësaj dite janë aktiv nëpër mediume, rrjete sociale, portale të ndryshme dhe fare nuk i bren krimbi i ndërgjegjes. Ata që dikur i shërbyen komunizmit, sot i ke edhe nëpër akademitë tona. Pra, shumë prej tyre që dikur e luftuan separatizmin dhe nacionalizmin në Kosovë, e përkrahën ideologjinë enveriste në Shqipëri dhe diferencuan shumë të pafajshëm në Maqedoni, të cilët e pësuan vetëm e vetëm që nuk u pajtuan të zezën ta trajtojnë si të bardhë, sot paguhen mirë e mirë duke mrizuar në institucionet e rëndësishme kulturore.

Hapja e dosjeve në Maqedoni nxori në shesh shumë të palara të disa shkrimtarëve, por që, për shkaqe sa subjektive aq edhe objektive, kaluan në heshtje. Po kështu edhe shumë dosje të publikuar në Shqipëri treguan se, bie fjala, Kadareja, ishte vëzhguar nga syri i shumë shkrimtarëve.

Dhe tash shtrohet pyetja: a mund ta marrim me mend se çfarë mund të ndodhë nëse një ditë hapen dosjet e inteligjencës së Kosovës, dosje të cilat ndodhen në Beograd. Një gjë duhet të jetë e qartë: shoqëria shqiptare, përgjithësisht, do të duhet të jetë e lumtur nëse nuk hapen dosjet e arkivuara në Beograd, sepse në të kundërtën…

Ata që janë përgjegjës, nuk duhet të lejojnë që vepra e Adem Gajtanit (por edhe shumë autorëve tjerë) të ngelet në harresë, aq më tepër kur pikërisht ata që janë përgjegjës, fare mirë e dinë se vepra e tij është e një niveli shumë të lartë dhe se meriton një trajtim tjetër. Nuk është e ndershme që disa të trajtohen si të nënës e disa si të njerkës…