Letër nga Kumanova: NJË TEATËR PROFESIONAL PËR AKTORËT SHQIPTARË

vull

Zona e Kumanovës gjithnjë është vlerësuar si “djep” i aktorëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, prej nga kanë dalë artistë të përkryer. Dashuria për skenat teatrale është kultivuar ndër breza dhe sot kemi një numër aktorësh nga kjo zonë, të cilët lirisht mund të përbëjnë një trupë teatrale shumë solide. Aktualisht, aktorët shqiptarë nga rrethi i Kumanovës talentin dhe punën e tyre këmbëngulëse prej aktori e shprehin përmes “Njësisë organizative teatrale shqiptare në kuadër të Shtëpisë për Kulturë të Kumanovës”! Pra, jo sektor, aq më pak institucion më vete, por një shprehje “unikate në botë” sa për t’u tallur me artistët shqiptarë! Njësi organizative teatrale!

Ky emërtim i përçudshëm tashmë është “institucionalizuar”, i përkrahur nga partitë tona dhe i subvencionuar me dy-tri premierë në vit nga Ministria e Kulturës! Dhe kështu është absorbuar çdo pakënaqësi dhe kërkesë e artdashësve, është neutralizuar çdo përpjekje kombëtare për një institucion nacional të mirëfilltë, është paralizuar çdo “kërkesë nacionaliste” që do ta brengoste “pronarin”- komunitetin maqedonas të kulturës (një shqetësim më pak për ”pronarin e kulturës” nga “nacionalizmi shqiptar”)!

Duhet të nënvizohet se angazhimet e para për një teatër shqiptar në Kumanovë kanë qenë shumë serioze, me një elaborat që ka zbërthyer të gjitha nevojat profesionale dhe kulturore të shqiptarëve të kësaj ane! Partitë politike shqiptare, me qëllim që mos ta mbështesin për muri partnerin qeveritar maqedonas (sepse mund të hidhërohet elektorati i tyre), kanë parapëlqyer më tepër që të “hidhërohen” me artistët shqiptarë, t’i ofendojnë ata me një “institucion fiktiv”, ku mund ta shprehin gjithë talentin e tyre.

A mbrohet në këtë mënyrë identiteti kulturor kombëtar?! Pse aktorëve të mrekullueshëm kumanovarë t’u ofrohet një “njësi teatrale” dhe jo një institucion nacional: Teatri Shqiptar në Kumanovë! Në këtë qytet funksionojnë dy institucione nacionale maqedonase: Qendra për Kulturë “Trajko Prokopiev” dhe Institucioni Nacional “Muzeu”! Pse mos të themelohet dhe të funksionojë edhe një institucion nacional, Teatri Shqiptar i Kumanovës, me emër, për shembull, “Sefedin Nuredini”? Potenciali kadrovik ekziston dhe është ndër më të fuqishmit në vend, potenciali financiar ekziston, sepse shqiptarët e këtij qyteti paguajnë taksa të majme, nevoja komunitare ekziston, sepse shqiptarët, publiku artdashës dëshiron që të ketë një institucion që do t’i nderojë dhe që do t’ua respektojë tërë atë angazhim që shqiptarët e këtushëm e kanë bërë për teatrin shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Mundi, angazhimi dhe dëshira e shqiptarëve të Maqedonisë është përtej një “njësie teatrale” si seksion në kuadër të një shtëpie të kulturës! Mbase, partitë tona edhe ia kanë dalë që në këtë njësi organizative të ketë të punësuar profesionalë me rroga aktori! Por, aktorit shqiptar nuk i intereson as punësimi e as rroga, por ekzistimi i një Institucioni Nacional Shqiptar!

Janë miratuar e hedhur mbi 500 milionë dollarë, janë miratuar edhe me pëlqimi e partnerëve shqiptarë të koalicioneve qeveritare! Këto para janë shpenzuar për anije idiotike, për luana e dema, për shelgje në lumë e për ura me skulptura nga kultura dhe religjioni ortodoks maqedonas! Pse mos të arrihet edhe një konsensus qeveritar për një buxhet prej 5-6 mlionë dollarë (aq sa kanë kushtuar dy-tri përmendore të cubave maqedonas) për ta ndërtuar një objekt të denjë teatral për aktorët dhe teatër-dashësit shqiptarë të Kumanovës! Apo, këta “të shkretë” akoma nuk janë bërë për teatër, sepse edhe më tej nuk e kanë të rregulluar sistemin e kanalizimit, ujësjellësit, rrugët, ndriçimin publik… Jemi në rrugë e sipër, na duhet vetëm të na mandatoni edhe një herë, edhe një herë, edhe një herë… – do të thoshin “politikanët” tanë! Një shfaqje kjo tragjiko-komike si shumë e gjatë (gati e amshueshme!) ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut!/HEJZA/

Next Post

Rikthimi i masave paraprake, Grubi: Autoritet kosovare do të reflektojnë

Zëvendëskryeministri i parë Maqedonisë së Veriut, Artan Grupi ka reaguar ndaj kufizimeve që Kosova ka vendosur për personat që hyjnë në Kosovë, të cilët duhet të dëshmojnë se janë të vaksinuar me tri doza të vaksinës Anti-COVID, apo me dy doza dhe të paraqesin testin PCR negativ, raporton Gazeta Express. […]

Subscribe US Now