Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

QYTETI MUZE QË PO I LËKUNDEN THEMELET

4 min read

Luani që ia ka falur emrin qytetit! Lviv! I vetmi qytet në botë që mban emrin LUAN! Mbrojtësi i këtij qyteti ukrainas është luani! Tani, në kohën e invazionit barbar të Rusisë, mbrojtës të këtij qyteti më të madh në perëndim të Ukrainës janë të gjithë qytetarët; i madh e i vogël janë në mbrojtjen e këtij qyteti muze, ndër të rrallët në botë!

I tërë populli ukrainas luten për mbrojtjen e vetëm dy qyteteve: të Kievit si qytet politiko-administrativ shtetëror dhe Lvivi, si qytet ndër të rrallat në botë me një trashëgimi kulturore po aq të rrallë! Thasë me rërë, pengesa të çelikta, gjilpëra të çelikta, vetë trupi i njeriut, i gruas, i plakut, i fëmijës, i madh e i vogël, me gjoks përpara agresorit në mbrojtje të qytetit Lviv!

Pse është kaq i rëndësishëm për Ukrainën dhe mbarë botën ky qytet! Lvivi është qytet i trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e UNESKO-s! Në këtë qytet ulen të gjitha heshtat e ortodoksisë dhe qyteti me pamjen e stilit barok merr bukurinë e një vendi si të perëndimit ku krishterimi katolik ka lënë gjurmët e veta jo vetëm fetare, jo vetëm politike-perëndimore, por mbi të gjitha kulturore.

Qytet i dhjetëra muzeve, qytet i dhjetëra objekteve fetare, qytet i dhjetëra trashëgimive natyrore, qytet i barokut të hershëm për t’i bërë ballë ortodoksizmit të tërë Rusisë Cariste, qytet i muzeve natyre, qytet që kulturën perëndimore e ka filluar që nga shekulli i XIII, ndërsa ka kulmuar me perandorinë austro-hungareze dhe me “invazionin politik” polak në fillim të shekullit XX!

I vetmi qytet i Ukrainës që është bërë gati për strehimin e monumenteve dhe të veprave të artit, të eksponateve të ndryshme nëpër shumë muze. Qytetarëve u tha\ “Zoti ua dhëntë hajrin, qyteti do të angazhohet në mbrojtjen e vlerave artistike që ia shtojnë madhështinë qytetit Lviv”! Zyrtarët lokal të qytetit të gjithë janë të angazhuar, me forca vetanake, në gjetjen e hapësirave të sigurta ku do të fshihen dhe ruhen veprat me peshën e kryeveprave botërore. Në këtë qytet ekziston bindja kolektive se fati i njeriut është në duar të Zotit, ndërsa fati i trashëgimisë kulturore, i veprave të artit, është në duart e njeriut.

Në këtë qytet ukrainasit, qytetarët kanë vënë veten para armëve, këmbëngulin që me gjoks ta mbrojnë Lvivin. Mbrojtja territoriale të gjitha sallat e kinemave, të teatrove, të muzeve, të galerive i ka shfrytëzuar si vende ku civilët mund të njoftohen me përdorimin e armëve në mbrojtje të institucioneve kulturore, pastaj të jetëve të tyre. Ata janë stërvitur për të mbrojtur: Shtëpinë e Operës Lviv me emrin Solomiya Krushelnytska, Muzeun Kombëtar, i themelua nga Mitropoliti Andrey Sheptytsky në 1905, Muzeu Historik Lviv, me një fond prej më shumë se 300 mijë eksponate, e që daton që nga viti 1580; Muzeun e Farmacisë, Muzeun e Armëve, Muzeun e Birrës, Muzeun Posta; Bashkinë e Lvivt, e ndërtuar në fillim të shekullit XIV. Është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kullën e bashkisë me 65 metra lartësi, është më e larta në Ukrainë.

Qytetarët në Lviv, ndonëse nën granatime ruse, me mish e me shpirt po e mbrojnë “Shtëpinë e Legjendave”, “Kishën e Shenjtorëve Ollga dhe Elizabeth”, “Katedralen”, të cilën në vitin 2001 e vizitoi Papa Gjon Pali II, kurse në oborrin e saj u varrosën shumë përfaqësues të familjeve të shquara polake; po mbrohen “Varrezat e Lychakivit” me një sipërfaqja më shumë se 40 hektarë, në të cilat ka më shumë se 300 mijë varre. Këtu është varrosur hiri i shumë ushtarakëve, politikanëve, shkencëtarëve, politikanëve, muzikantëve dhe këngëtarëve të famshëm. Në veçanti, këtu janë varrosur Ivan Franko, Solomiya Krushelnitskaya, Grigory Tyutyunnik. Tani varrezat janë një rezervë historike dhe kulturore dhe varrimet e reja në të nuk kryhen; po mbrohet Restoranti tematik “Kryivka”, Punëtoria e çokollatës, Etno-parku “Shevchenko Hai”, Universiteti i Sigurisë së Jetës, Oborri i Lodrave të Humbura, Galeria në ajër të hapur etj.

Në Lviv të Ukrainës po mbrohet një qytet i tërë muze, një “atdhe i kulturës dhe trashëgimisë kulturore të Ukrainës, sepse ukrainasit e llogarisin si shpirt i shtetit të tyre. Pa këtë qytet dhe pa të gjitha vlerat brenda saj, e që janë po aq të rëndësishme sa jeta e njeriut, Ukraina do të gjasonte në një gërmadhë të pa kuptim, thonë banorët e Lvivit! Është ky qytet, i cili edhe nëse shndërrohet në gërmadhë të rëndomtë, do t’i japë sërish shpirt Ukrainës! Kështu mendon edhe UNESKO, ndaj dhe apelon që Rusia të ndëshkohet për çdo plumb që do ta shkrepë në këtë qytet muze! Prandaj, shkrimtarët më të mëdhenj botëror kanë nënshkruar peticion kundër barbarisë ruse mbi Ukrainë! /HEJZA/