Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” i ndau mirënjohje piktorit mbarëkombëtar Prof. Mr. Miftar Memetit

2 min read
Loading...

Në Edicionin VI me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, që këtë vit përkoi me 141 – vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, përpos përkujtimit të veprimtarëve tetovarë që morën pjesë në ngjarjen historike të Lidhjes së Prizrenit, realizimit të orës letrare dhe programit artistik, ky subjekt kulturor është kujdesur që të ndajë mirënjohje për disa personalitete të arsimit, shkencës, kulturës dhe kauzës sonë kombëtare.

Me motivacionin: “për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës dhe të historisë, si dhe për përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare”, sot në hollin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës ( para Mozaikut të Skënderbeut),  kryetari i shoqatës – Selam Sulejmani, ia dorëzoi mirënjohjen – piktorit mbarëkombëtar, Prof. Mr. Miftar Memetit.

Profesori i dhjetëra profesorëve, Miftar Memeti, ndër vite ka zhvilluar një veprimtari të jashtëzakonshme artistike, si në Tetovë, Prishtinë, Tiranë e më gjerë, ku mund të veçohen veprat e tij kapitale: “Nënë Tereza”,  “100 Vjetori i Pavarësisë”, Mozaiku për Kryeheroin e kombit Gjergj Kastriotin – Skënderbeu dhe disa ekspozita të tjera me karakter kombëtar e me rëndësi për artin figurativ.

Veprimtaria e tij është vlerësuar lartë nga autoritetet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, si dhe drejtues tjerë të institucioneve arsimore, kulturore nga vendi,  rajoni dhe arena ndërkombëtare.

Shoqata “Tradita” edhe në të ardhmen do të vijojë t’i nderojë të gjithë ata burra e gra, djem e vajza, të rinj e të reja, për veprimtarinë e tyre patriotike, qëndresën përballë politikës hegjemoniste sllave, sakrificën për arritjen e synimeve politike, historike dhe për lirinë e demokracinë e popullit shqiptar.