Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

“Trilogji: Nën sipërfaqe ka një sipërfaqe tjetër” – DRIANT ZENELI

2 min read

Pas një hapje të suksesshme të projektit të artistit shqiptar dhe botërisht të afirmuar Driant Zeneli [1] të titulliar “Trilogji: Nën sipërfaqe ka një sipërfaqe tjetër”, gjatë këtyre ditëve ishim dëshmitarë të shumë vizitorëve të interesuar për projektin e tij, si nga skena lokale, por edhe nga ajo ndërkombëtare. Çifte Hamami edhe njëherë tjetër u shndërrua në një galeri të përmasave botërore e këtë e vërtetoi pikërisht fakti se, me projektin e Zenelit, Galeria nacionale u bë pjesë e përzgjedhjes së faqes www.myartguides.com për ekspozitat më të mira në botë gjatë kësaj periudhe, sukses për të cilin jemi veçanërisht krenarë.

Le të rikujtojmë edhe njëherë diskursin konceptual artistik të projektit. “Trilogji: Nën një sipërfaqe ka një sipërfaqe tjetër” është një projekt multimediatik dhe interdisiplinar i cili përbëhet prej instalacioneve, vizatimeve, objekteve ready-made dhe instalacioneve hapësinore. Elementi që i bashkon filmat dhe deskriptorët e tjerë të projektit është minerali krom dhe libri fantastiko-shkencor i Arion Hisenbegasit “Drejt Ypsilonit të Eridanit”.

Ridefinimi i idesë së josuksesit, utopisë dhe ëndrrës qëndron në thelbin e hulumtimit të Zenelit, si elemente që hapin alternativa të shumta. Në filmat e tij, fuqia dhe historia ndërthuren me narracionet e tyre, duke nxitur utopi që e fundosin rendin natyral të gjërave. Vepra kreative ushqehet me takimet e paplanifikuara dhe marrëdhënien me trashëgiminë arkitekturore të vendeve.

Zeneli i përdor filmat e tij si material për modelim të vendit dhe kohës. Shfaqjet kanë formën e intervenimeve pjesëmarrëse, nëpërmjet të cilave artisti e krijon kuptimin e veprës me shikuesit. Elementi i gravitacionit rezonon përmes gjithë produksionit artistik, qofshin ato filma, vizatime apo ndodhi, në një përpjekje të vazhdueshme që të ndahet nga toka, të luajë me kufijtë e veta dhe të gjenden sipërfaqe të reja të reales dhe fantastikes nën sipërfaqen e parashikueshme.

Nisur nga kjo, konsiderojmë se Çifte Hamami, si dhe hapësirat e tjera të Galerisë nacionale, janë një zgjedhje e shkëlqyer për kalimin e kohës së lirë në mënyrë cilësore në Shkup gjatë verës.

DRIANT ZENELI (1983, Shkodër, Shqipëri)

Në vitin 2019, ai përfaqësoi pavijonin shqiptar në ekspozitën e 58-të ndërkombëtare të artit – Bienalen në Venecia.

Ekspozitat kryesore: Manifesta e Bienales 14, Prishtinë (2022); Teatrino Palazzo Grazi, Venecia, (2021); Bienalja Ndërkombëtare e 39-të EVA, Limerick (2020); Galeria Kombëtare e Republikës së Kosovës (2019); Fondacioni i Artit Sharjah, Platforma e Filmit, (2019); Qendra Letoneze për Artin Bashkëkohor, Riga (2019); Autostrada Biennale, Prizren, Republika e Kosovës (2019); GAMEC, Bergamo, (2019); Galeria Mostyn, Uells, MB (2017); MuCEM, Marseille, (2016); Qendra Pompidou, Paris (2016); GAM, Torino (2013); ZKM, Karlsruhe (2012); MUSAC, Castilla Leon. Spanja, (2012); Galeria Kombëtare e Tiranës, (2008)