Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

“ZGJOI” DUHET TË NA ZGJOJË TË GJITHËVE

4 min read

Midis nesh

“ZGJOI” DUHET TË NA ZGJOJË TË GJITHËVE

 

Një sukses historik për kinematografinë kosovare! Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur listën e ngushtë për 10 kategori për edicionin e 94-të të “OSKAR”. Në mesin e listës së ngushtë të filmave ndërkombëtar të metrazhit të gjatë është edhe filmi kosovar “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli.

Reaguan të gjithë! Që nga kryeministria e deri te qytetarët më të rëndomtë. Gëzim i madh kombëtar! Filmi flet për zonjën Fahrie nga Krusha e Madhe ku okupatori serb i vrau të gjithë meshkujt, duke e lënë vendin që të njihet si i vetmi vend në botë që mbahet gjallë nga duart dhe supet e grave! Pra, filmi flet për pasojat pas një lufte gjenocidale të ushtruar nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë.

Përkundër kësaj, është shumë njerëzore që të preket edhe një dimension “i padukshëm” i procesit të filmit! Këta që po gëzohen sot për këtë sukses, a e dinë se nëpër çfarë peripecish ka kaluar tërë stafi që janë marrë me planin zhvillimor të filmit?A i ka pyetur dikush se si kanë kaluar aktorët nëpër shesh xhirime, a ka pyetur dikush se sa e sa herë i ka “thyer” gishtat regjisorja Blerta kur ka prekur buxhetin qesharak të projektit filmik, kur i ka kërkuar stafi për të ngrënë, për t’u ngrohur, për ta njomur fytin me ndonjë pije? I ka interesuar dikujt që të dijë se çfarë po bënë kjo VAJZË, e cila mbi supet e veta ka marrë një barrë vështirë të përballueshme – të bëjë filmin e vet të parë të metrazhit të gjatë! Një vepër që do të flasë për Kosovën, një vepër që do ta shpalosë vetëm një detaj nga miliona të tillë nëpër të cilat kaloi Kosova gjatë luftës për t’u çliruar nga okupatori shekullor serb; një vepër që do të flasë shkurt e qartë: Kosova ka kapacitet të ofrojë në botë vlera krijuese me përmasa universale.

Përveç njerëzve nga esnafi i filmit, a e dinte dikush nga politika, nga drejtuesit e dikastereve gjegjëse dhe shtetit që dikush është duke e bërë një film, i cili në kontekst e ka masakrën gjenocidale serbe të ushtruar në një fshat të Kosovës? A e dinte dikush se Blerta ia kishte mësyrë që në mënyrën e vet artistike të ngrejë zërin dhe ta trondit edhe një herë bashkësinë ndërkombëtare me fatin e qindra e mijëra grave që ia arritën të shpëtojnë nga hordhitë e ushtrisë dhe strukturave paramilitare serbe në luftën e fundit në Kosovë?

Në zonën e Shumadisë së Serbisë, “kineastët” serbë po bëkan një film përmes të cilit do të tregojnë se si “Masakrën e Reçakut” e paskan bërë vetë shqiptarët, me qëllim që ta nxijnë “fytyrën e bardhë” të serbëve! Në sheshin e xhirimit ka dalë për vizitë Aleksandar Vulin, ministër i qeverisë serbe, dhe para të gjithëve ka kërkuar që të bëjnë një kryevepër, përmes së cilës do të dëshmojmë në botë se Masakra e Reçakut është “gënjeshtër e madhe dhe fabrikim i jashtëzakonshëm”. Serbët e dinë fort mirë se cili është efekti propagandistik i një vepre filmike.

Natyrisht, këtë efekt e kanë të njohur edhe shqiptarët e Kosovës. Prandaj, është koha e fundit që të krijohet një buxhet solid kombëtar, i cili u dedikohet vetëm atyre projekteve filmike që do të përzgjidhen nga një komision profesional ndërkombëtar. Buxheti do të duhej të kishte një jetëgjatësi prej tri-katër dekadave derisa do të “shtereshin” temat që do të zbardhin shumë ngjarje, tragjedi, krime, paradokse të shkaktuara nga serbët, të cilët, çdo krim e justifikojnë si “angazhim patriotik në mbroje të zemrës së Serbisë – Kosovës”! Pa dyshim, projektet që do të financoheshin nga një ekstra buxhet kombëtar për film do të ishin vetëm ato që do të siguronin prodhim filmik në mes të më shumë produksioneve filmike ndërkombëtare.

“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Zyrës Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV! “Zgjoi” duhet të na zgjojë të gjithëve! /HEJZA/