Kuvendi i Kosovës, seanca për konstituimin e legjislaturës së re vazhdon të enjten në orën 12:00

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që u ndërpre të martën, do të mbahet të enjten në orën 12:00, sipas njoftimit zyrtar në kalendarin e Kuvendit.

Seanca, e cila kishte për qëllim konstituimin e legjislaturës së re që ka dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duhej të vazhdonte brenda afatit ligjor prej 48 orësh nga ndërprerja, siç parashikohet në Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një letër drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, e theksoi qartë detyrimin institucional për funksionalizimin e legjislaturës së re. Ajo u shpreh se: “Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik”.

Osmani i rikujtoi kryesuesit Dehari dhe deputetëve të zgjedhur se janë të detyruar të veprojnë në përputhje me frymën e Kushtetutës, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me Rregulloren e Kuvendit, për të siguruar vazhdimin e seancës brenda afatit të përcaktuar.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte kërkuar më herët të mërkurën një sqarim nga presidentja në lidhje me veprimet që duhej të ndërmerrte pas ndërprerjes së seancës së së martës.

Seanca konstituive kishte dështuar të martën për të konstituar përbërjen e re të Kuvendit, ndonëse zgjedhjet janë mbajtur më 9 shkurt dhe legjislatura e re pritet të fillojë punën zyrtarisht.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights