Admirim Haliti merr detyrën ministër i Shoqërisë informatike dhe administratë: Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm

Kohanews Admin

Të dashur miqtë e mi!

Sot është dita ime e parë në punë në detyrën e re. Suksesi i kësaj qeverie në përpjekjet për t’i përmirësuar jetët e qytetarëve do t’i gëzojë të gjithë qytetarët e lirë e të zakonshëm të kësaj republike. Të trishtuar nga suksesi i një qeverie mund të jenë vetëm një grusht njerëzish, kryesisht politikanë të lartë e oligarkë që suksesin e tyre e kanë ngritur mbi dështimet tona.

Më saktë, mbi dështimin e qeverive dhe shoqërisë tonë për të ngritur një sistem të drejtë, një treg funksional e për të kthyer shpresën e rinisë në këtë vend tonin. Në ditën e parë të kësaj përgjegjësie të madhe që më është ngarkuar, dua t’ju shoh në sy secilin prej jush dhe t’ju them se merita për suksesin e kësaj pune do të jetë e të gjithëve ne, drejtues, staf teknik e qytetarë. Frytet e tij do t’i vjelin qytetarët pa dallim.

Nëse dështoj, përgjegjësia do të jetë vetëm e imja. Por për fat të keq pasojat e keqqeverisjes bien mbi të gjithë qytetarët. Prandaj, në këtë ditë të parë të punës, ju drejtohem me përulësi për të kërkuar përkrahjen dhe lutjet tuaja që t’ia dalim mbanë së bashku.

Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm, më premtues dhe shpresëdhënës për rininë, më të përgjegjshëm në shërbimin ndaj qytetarëve, më të shpejtë në ndihmën për ta, më modern në administrim. Le të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshimin dhe shpresën për të cilën kemi nevojë që vendi ynë dhe të gjithë qytetarët të jenë fituesit e vërtetë të kësaj sfide.

Zoti na ndihmoftë!

Admirimi

Next Post

Letër nga Lezha:TEZGJAHU NË GRAHMËN E VET TË FUNDIT, PSE!

Teze Lazri, është një tezgjahiste e regjur në prodhime artizanati në tezgjah. Sot, ajo është një ikonë e Lezhës dhe mbarë Zadrimjes, e cila tashmë në moshën tetëdhjetëvjeçare, po i mbushë 40 vjet që nuk iu shqep tezgjahut. Këtë punë ajo e nisi nga nevoja për t’ia përgatitur pajën vajzës […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: