Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Demiri: Në LSDM ekzistojnë dy rryma, njëra është për zgjedhje të parakohshme, kurse tjetra jo

2 min read
Loading...

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë e cila kryesohet nga kryeministri Zoran Zaev, akoma nuk ka marrë vendim për të shkuar ose jo në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale.

Tanimë kanë kaluar tre javë nga kërkesa e VMRO DPMNE-së që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidencialet, ndërkohë që para një jave partia maqedonase në opozitë ka dorëzuar kërkesën për shpërbërjen e Parlamentit.

Marrja e vendimit për çështjen në fjalë disa herë është shtyrë nga ana e kryesisë së LSDM-së nën arsyetimin se mungojnë disa anëtare të kryesisë së partisë të cilët ushtrojnë dhe postin e ministrave të cilët janë me detyrë zyrtare jashtë vendit.

Njohësit e çështjeve politike thonë se dallimet brenda për brenda LSDM-së për të shkuar në zgjedhje dhe së fundmi tensionet mes partnerëve të koalicionit qeverisës kanë bërë që kryeministri Zoran Zaev të zvarris vendimin për këtë çështje.

Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike, për Rel thotë se zvarritja e deklarimit nëse Socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev do të pranojnë kërkesën e VMRO DPMNE-së për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, ka të bëjë me harmonizimin e qëndrimeve me partnerin shqiptarë të koalicionit qeverisës, Bashkimin Demokratik për Integrim, që është shprehur që në fillim kundër mbajtjes së tyre.

“Vet Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nuk është e qartë sepse edhe brenda partisë ka dy rryma. Rryma A e cila dëshiron të shkohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe rryma B e cila është kundër organizimit të tyre. Gjithsesi, ky status kuo nuk mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë sepse duhet të prononcohet për këtë gjë, ndërkohë që kanë filluar të marrin një trajtë të brishtë raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar pas publikimit të skandalit me mosalokimin e mjeteve për sigurimin pensional pikërisht nga kuadrot e partisë shqiptare”, vlerëson Demiri.