Kohanews.com

Ke Çfarë Lexon!

Hazbi Lika: Nuk jam informuar as edhe i konsultuar për iniciativen dhe as për hartimin e këtij ligji

2 min read

Të nderuar bashkëluftëtarë, bashkëveprimtarë dhe të gjithë Ju që sakrifikuat dhe ndihmuat në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,

Të nderuar anëtarë, aktivistë, simpatizantë, votues të Bashkimit Demokratik për Integrim,

Të nderuar qytetarë,

Kaluan pothuajse dy dekada prej kur u arrit Marrëveshja Paqësore e Ohrit, si kompromis për ndërprerjen e konfliktit, sjelljen e paqes dhe demokratizimin e shoqërisë në Republikën e Maqedonisë së atëherëshme. Kjo marrëveshje është dashur të implementohet për katër vite, e që fatkeqësisht deri në ditët e sotme ende nuk po gjen zbatim në tërësi, si në aspektin legjilsativ ashtu dhe në atë praktik.

E ndjej si obligim të sqaroj para Jush, situatën e krijuar së fundmi rreth iniciativës nga BDI për shpërbërjen e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe themelimin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, iniciativë e cila ditën e nesërme do të gjendet para deputetëve.

Unë si përfaqësues i BDI-së, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në detyrën e Zëvendës Kryeministrit të angazhuar për Implemntimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik, nuk jam informuar as edhe i konsultuar për iniciativen dhe as për hartimin e këtij ligji, duke aluduar në kompetencat që do të bartë Institucioni i ri i cili krijohet, dhe lidhshmërinë që do të ketë me vetë Marrëveshjen Paqësore të Ohrit.

Në takimin e fundit të realizuar me Kreun e partisë, edhe pse vonë, megjithatë kemi kërkuar që të hapet debat dhe të diskutohet rreth kësaj iniciative me të gjitha organet partiake, por edhe me palët e interesuara jashtë partiake, duke tentuar në rruajtjen dhe trashëgimin e vlerave të mirëfillta që burojnë nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit. Presim që aktorët politikë të reflektojnë me qëllim që të qartësohet mirë kjo situatë, të dihet mirë se cili do të jetë fati i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, me të vetmin qëllim për të ndërtuar një shoqëri të barabartë për të gjithë.